ROMË– Italia po përgatitet të përballet nesër me një grevë të përgjithshme prej tetë orësh me kërkesë të konfederatave sindikale për të protestuar kundër politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë së kryeministrit Matteo Renzi.

“Kjo nuk shkon kështu”, është motoja e kësaj greve të organizuar në sektorin publik dhe privat nga konfederata kryesore italiane CGIL (e majtë) dhe mbështetur nga UIL (e moderuar).

Një konfederatë e tretë, UGL (e djathtë), më e vogël do t’i bashkohet lëvizjes.

Shënjestra kryesore e nervozizmit sindikal mbetet Jobs Act, reforma për tregun e punës kërkuar nga Renzi për inkurajimin e punësimit.

Ligji i miratuar javën e kaluar, parashikon lehtësimin e largimeve nga puna dhe reduktimin e të drejtave dhe mbrojtjes së punonjësve në vitet e para të kontratës.

Shënjestra e dytë e sindikatave është projektbuxheti 2015, ku masat për rimëkëmbjen ekonomike janë gjykuar të pamjaftueshme.

“Kombinimi i këtyre dy projekteve nuk favorizon as punësimin as ndërmarrjet që kërkojnë të investojnë dhe përbën një përzierje që shkakton deflacion dhe recesion”, theksoi Susanna Camusso, sekretare e përgjithshme e CGIL, përfaqësuese e grevës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb