Parlamenti i Italisë ka miratuar një rezolutë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Lidhur me këtë nismë të italianëve, kreu i Kuvendit shqiptar, Gramoz Ruçi, ka falënderuar homologun e tij, Roberto Fico, duke e cilësuar Italinë një fqinj të çmuar dhe partner të fuqishëm.

“Dëshiroj t’Ju falenderoj për Rezolutën “Mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euroatlantike”, miratuar njëzëri nga Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Italiane në datën 19 korrik.

Në Rezolutë vlerësohen reformat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadrin e përgatitjeve për çeljen e negociatave dhe i rekomandohet qeverisë italiane të mbështesë në mënyrë aktive dhe të fuqizojë rolin e vet si një partner i vëmendshëm në mbrojtje të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit si edhe të paqes e stabilitetit të Europës dhe Mesdheut.

Me këtë rast, dëshiroj të përsëris mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin që Italia, fqinji dhe partneri ynë i fuqishëm, ka dhënë dhe po jep për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe të shpreh bindjen në qëndrimin e vendosur të qeverisë italiane në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Gjithashtu, përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare të Shkëlqesisë Suaj në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj”, shkruhet në letrën e Ruçit.

(BalkaNWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb