Përpos një kundërshtari të lehtë, Kombëtarja shqiptare po përgatitet për të zhvilluar miqësoren e fundit me Azerbajxhanin, përpara sfidës me Italinë në Europian.

Për ish-kapitenin Altin Lala, kjo përballje do të jetë vendimtare. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lala thotë se kuqezinjtë nuk kanë nevojë për motivim përballë Italisë dhe atë ndeshje duhet ta luajnë me fokusim të plotë. Ai ka mbetur i befasuar nga lënia jashtë e tre lojtarëve, si edhe jep shpjegimin pse është i vlefshëm Abrashi në Europian. Ndërkohë, këto miqësore ish-mesfushori thotë se vlejnë që lojtarët të njihen më shumë me njëri-tjetrin.

Sa vlerë pati ajo miqësore me Lihtenshtejnin për Kombëtaren shqiptare?

Në përgjithësi këto janë ndeshje stërvitore më tepër për faktin po themi se edhe kundërshtari s’është i fortë. Unë e shoh logjike, sepse kur dëshiron edhe të provosh ndonjë lojtar të ri që nuk ka shumë minuta me Kombëtaren, është më e lehtë që edhe ata të kuptohen me njëritjetri. Të njihen më mirë, të kenë një vetësiguri në fushë, pavarësisht se janë bashkë në stërvitje, kjo ishte një lojë stërvitore.

Ju keni qenë një mesfushor që s’ndaleshit së vrapuari, nga ana fizike, përpos kundërshtarit modest, si e keni parë ekipin?

Patëm qarkullimin më të madh me topin, për këtë pati vlerë. Mendoj se çunat do të kenë kohë edhe këto dy javë të arrijnë në nivelin e duhur. Unë e kam thënë gjithmonë që edhe minutazhi nëpër klube ka rëndësi sepse në këtu nuk është se do të fitosh ndonjë kondicion të madh, apo përgatitje fizike sepse është kohë e shkurtër, vijnë pas kampionateve, mos kenë dëmtime të vogla. Kjo është kryesorja. Nga ajo se çfarë pashë unë, ekipi duket mirë nga ana fizike.

Po në aspektin psikologjik, Broja dhe Asani u rikthyen te goli që u kishte munguar shumë. Mendoni se janë gati për të përballuar Europianin?

Janë apo nuk janë, ndeshjet do të luhen, por besoj se do të jenë gati. Nëse i shohim ndeshjes sipas radhës, fokusi është më i madh tek Italia pasi luhet e para. Mendoj se deri në atë ndeshje, çdo lojtar që do të jetë në fushë, s’do të ketë nevojë për motivim. Nëse do të kemi ndonjë lojtar që ka nevojë për motivim, s’duhet të futet fare në stadium (qesh). Është ndeshje që si një lojtar i Kombëtares shqiptare nuk mund t’i përjetosh gjithmonë. Mendoj se nuk do të jetë problem motivacioni dhe të gjithë që do të futen në fushë do të japin maksimumin.

Me Italinë praktikisht do të jemi ne ekipi inferior në letër, do të ketë edhe një tjetër përgatitje si ndeshje?

Po, nga ana taktike, do të jetë një ndeshje tjetër, për vetë faktin se ka dallim mes Italisë dhe Azerbajxhanit. Por, edhe nga ana psikologjike që të jesh superior në këto ndeshjet miqësore s’është keq. Ne të gjitha ndeshjet e forta, si me Poloninë dhe Çekinë, kemi pasur rolin po themi të njëjtin rol siç do ta kemi me Italinë. Jemi munduar të jemi kompakt, të mos i lejojmë hapësira kundërshtarit. Kjo mënyrë taktike do të jetë edhe me Italinë. Mendoj se trajneri nuk do të ngjitet lart t’i bëjë presing, siç luan Mançester Siti. Atë e bën vetëm Siti dhe Barcelona në kohën e vet, ose skuadra të mëdha, kështu që do të jetë ndryshe.

Përpara se të shpallej lista, ju u shprehet se do të ketë një surprizë, kujt i jeni referuar?

Ka pasur shumë surprizë. (qesh). Siç e tha edhe trajneri që në përgjithësi secili do të bënte listën e vet dhe do të kishte gjithmonë hatërmbetje. Me thënë atë që është, unë i referohem asaj që Cikalleshi, Uzuni dhe Bare, kanë qenë pjesë dhe nuk e kam pritur që të tre të dalin jashtë. Ishin tri surpriza dhe anasjelltas me lojtarët që kanë ardhur, është relative. Disa nuk i ka pasur njeri as në mendje që do të ishin pjesë e listës. Kjo ishte ideja.

Pse Abrashi mund të jetë i vlefshëm në Europian kur s’ka qenë i pranishëm në asnjë ndeshje kualifikuese?

Abrashi nga mentaliteti që ka. Unë e njoh që në 2013-ën dhe është një lojtar energjik, serioz, shumë punëtor, vrapon shumë dhe ndoshta do t’i nevojitet trajnerit edhe për ndeshjen me Italinë. Aty vjen në 120 për qind i fokusuar, për të fituar dyluftime. Pavarësisht se është 34-vjeç, ai vjen shumë mirë nga ana fizike, ka eksperiencë dhe patjetër që mund të jetë një faktor. Nuk e di do të luajë nga fillimi apo jo, kjo do të shihet kur të vijë dita e ndeshjes. Por, e shikoj pozitive.

Si duken në sytë e Altin Lalës, Spanja dhe Italia, janë aq të frikshme, duke parë edhe lojtarët që kanë thirrur?

Ne kemi shanset tona. Vetëm duhet t’i shfrytëzojmë. Në ndeshjen e parë, duhet të jetë gjithçka me ne, që të marrim një rezultat pozitiv, të gjithë të jenë në formë të mirë, të fokusuar mbi 100 për qind dhe të kemi edhe pak fat. Futbolli kërkon edhe ndonjëherë pak fat. Nëse të gjithë këto komponentët do të jenë në anën tonë, atëherë mund të marrin rezultat pozitiv, ku këtu hyn edhe barazimi, pasi ndeshja e dytë është me Kroacinë që është prapë ekip i madh, por ke një shans final pastaj. Shorti ishte i vështirë, por kemi shanset tona. Spanjën e shoh edhe më të frikshme për mënyrën sesi luan, nuk na përshtatet, por fokusimi duhet të jetë vetëm tek Italia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb