ARABIA SAUDITE- Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se kanë kërkuar prej Arabisë Saudite që ta lirojë një britanik të moshuar, i cili në këtë shtet përballet me dënimin prej 350 goditjeve me kamxhik, pasi në shtëpinë e tij është gjetur verë. Por ky dënim, sipas fjalëve të familjes së tij, mundet ta mbysë.

Carl Andree (74 vjeç) është dënuar me 12 muaj burg në gusht të vitit të kaluar, por ai ende ndodhet në burg, në pritje të dënimit të radhës, pasi ka shkelur ligjet strikte saudite për ndalimin e alkoolit, pasi policia kishte gjetur shishe me verë në shtëpinë e tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Janë shqiptuar dy dënime. Dënimi me burg është kryer në gusht, por kanë mbetur goditjet me kamxhik, kështu që po ma merr mendja që për këtë arsye ende po e mbajnë në burg”, ka thënë i biri i tij, Simon Andree, duke shtuar se familja nuk e di se çfarë do të ndodhë më tutje.

Ai ka theksuar se babai i tij, që prej 25 vitesh punon për kompanitë e naftës në atë shtet, është shëndetlig dhe tri herë ka marrë terapi për kancer, e krahas kësaj vuan edhe nga astma.

“Ai është një i moshuar i brishtë dhe druaj se rrahja me kamxhik për të do të ishte dënim me vdekje”, ka thënë i biri, duke shtuar se është kjo arsyeja që familja është tejet e brengosur dhe po mundohet ta shpëtojë.

Ministria e Jashtme britanike ka bërë të ditur se stafi i Ambasadës në Riad kontrollon rregullisht shëndetin e të burgosurit.

Ministrat dhe përfaqësuesit e lartë britanikë e kanë hapur këtë çështje në negociatat me Arabinë Saudite, duke e kërkuar lirimin e tij, sa më shpejt të jetë e mundur, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, zëdhënësja e kryeministrit britanik ka bërë të ditur se vetë David Cameron do t’i shkruajë Qeverisë së Arabisë Saudite rreth kësaj çështjeje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: