Lulzim Berisha, ish-kreu i “Bandës së Durrësit”, ka bërë sot deklarimin e pasurisë, si një prej subjekteve të paketës ‘ANTI-KÇK’. Ky fakt është bërë i ditur nga avokati Detar Hysi, i cili deklaroi se klienti i tij firmosi deklaratën e pasurisë.

Sipas përfaqësuesit ligjor të Lul Berishës, deklarata që Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi klientit të tij, është depozituar në Drejtorinë e Policisë.

Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi dje një formular për deklarimin e pasurisë Berishës brenda 48 orëve, i cili u lirua në vitin 2016 me kusht.

“Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, informojmë opinionin publik se në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, subjekteve:
L. B., 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën ‘Adria’, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Trafikim i narkotikëve’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht”, tha zëdhënësja e OFL.

Lulzim Berisha figuron pronar me 40% i një kompanie të hidrokarbureve, pronar i një policie private dhe bashkëpronar i një kompanie tjetër.

Ai i dënuar fillimisht me burg përjetë e më pas me 25 vite, i kishin mbetur vetëm 5 vite dënim për të kryer, kur u lirua nga burgu më 5 dhjetor 2016 pas një procesi të gjatë padish e kërkesash që avokatët e tij bënë në gjykata. Gjykata i dha lirinë duke e vendosur atë në periudhë prove me kusht që për 5 vjet të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg. Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit u llogarit se ai kishte shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.

Përveç matematikës së ditëve të burgut, Lulzim Berisha ka bindur Gjykatën e Apelit të Durrësit se “është arritur qëllimi për edukimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri”. Për këtë gjykim, treshja e gjyqtarëve është bazuar tek raportet pozitive të administratës së burgjeve si dhe një karakteristikë familje të lëshuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako më 8 korrik 2016.

“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohej shkresa e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako në vendimin e lirimit.

Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka marrë gjithashtu vlerësimin se Lulzim Berisha “shfaq një gjendje shumë të rënduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të dënimit të vuajtur”, pendesën e tij për krimet dhe faktin se dy prindërit e tij janë të sëmurë rëndë dhe jetojnë vetëm.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: