Kryeministria ka dhënë informacion zyrtar për gjendjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas Kryeministrisë, Rama po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike të hernies inguinale nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata, në kirurgjinë e QSUT.
Po kështu mësohet se Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT. Operacioni i kryeminisrit Edi Rama u realizua nga 5 mjekë të njohur të QSUT, Arben Gjata, Arben Beqiri, Krenar Lila, Dritan Rahovica dhe Saimir Kuçi.
I njëjti ekip doktorësh operoi Ramën edhe në muajin prill nga apandesiti.
Reagimi i Kryeministrisë
“Në lidhje me pyetjet dhe kërkesën tuaj për informacion për ndërhyrjen kirurgjikale të Kryeministrit Edi Rama ju bëjmë me dije se:
Kryeministri Edi Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale.
Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, deklaron Kryeministria.
Ekipi i mjekëve që operoi Ramën, në të dyja ndërhyrjet kirurgjikale:
Arben Gjata, Shefi i kirurgjisë
Arben Beqiri, Kirurg
Krenar Lila, Shefi i anestezi-reanimacionit
Dritan Rahovica, Kirurg
Saimir Kuçi, Anestezist
(BalkanWeb)