Kanë mjaftuar vetëm disa minuta që e gjithë puna dhe mundi i një jete me plot sakrifica t’i shembej para syve si me një të rënë lapsi. Kjo është historia e trishtë e 75-vjeçarit Haxhi Billa dhe 18 anëtarëve të familjes së tij të madhe që nga dje janë rrugëve të Tiranës të pastrehë pasi IKMT vendosi t’u prishë shtëpinë në zonën e ‘Astirit’ pasi prekej nga projekti i Unazës së Madhe.

Shtëpia 3 katëshe ku me prindërit jetonin edhe 5 djemtë me familjet, tanimë është rrënojë poshtë së cilës është murosur gjithçka deri tek rrobat e trupit.

Haxhiun e gjejmë të ulur pikërisht mbi gërmadhat e shtëpisë së tij tek tymos një cigare ne shi. Në kujtesë i ka mbetur akti i fundit, kur mesditën e ditës së martë dhjetëra policë hynë në shtëpinë e tij duke e nxjerrë forcërisht së bashku me gratë e djemve dhe fëmijët e vegjël ndërsa tek porta u shfaq fadroma.

75-vjeçari rrëfen sesi inspektori i ARRSH mori aty për aty vendimin për prishjen e shtëpisë së tij, pa paralajmërim, si dhe pa marrë parasysh faktin se shtëpia është ndërtuar me leje të bashkisë Tiranë dhe se toka i është blerë pronarit në vitin 1993.

Pas atij momenti askush nga familja Billa nuk u lejua të hynte në shtëpi për të nxjerrë jashtë plaçkat. Haxhiu thotë se me këtë punë u morën disa punonjës të bashkisë Tiranë të cilët i bën fajtor për humbjen e disa sendeve me vlerë si dhe shkatërrimin e pjesës më të madhe të orendive që mbetën brenda.

I moshuari na tregon një trung të prerë brenda rrethimit të shtëpisë që sipas tij shënjon kufirin e projektit të vjetër të unazës të caktuar nga ARRSH në vitin 2017 e që ka një largësi afër 12 metra nga shtëpia tanimë e shembur.

Për pak kohë si Haxhiu dhe 18 anëtarët e familjes Billa janë strehuar tek miq dhe të afërm, po edhe për sa kohë?! Kryefamiljari thotë se nuk pret dhe as që beson në ndihmën e kryeministrit Rama e aq më pak nga kreu i bashkisë Erion Veliaj të cilët i bënë fajtorë direkt për gjendjen ku ndodhet si dhe për dëmin e madh të shkaktuar familjes së tij të vlerësuar me ekspert në vlerë 480 milionë lekë.

Kryefamiljari thotë se nuk do të tërhiqet nga beteja për drejtësi si ai dhe familja Billa duke lënë të hapur edhe mundësinë e shkuarjen drejt vetëgjyqësisë nëse do të preket trualli i shtëpisë tanimë të shembur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb