TIRANE

23-vjeçari që mbeti sot i plagosur pas një atentati me armë zjarri në Laprakë, ndërsa e dashura e tij ndërroi jetë, nuk është një emër i panjohur për policinë.

Mësohet se Erion Bengo është person me precedent penal, pasi 2 vite më parë ishte arrestuar për shantazh. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se 23-vjeçari më 22 qershor të 2016 është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se shantazhonte një vajzë me anë të një video intime.

Sipas policisë, në atë kohë, i riu bashkë me një bashkëpunëtor të tij, u akuzuan se i kërkonin 2000 euro vajzës me inicialet K.L., në mënyrë që mos ta publikonin videon intime.

NGJARJA SOT
Krimi i rëndë ku mbeti e vrarë 17-vjeçarja Briselda Gjikola, dhe u plagos Erion Bengo ndodhi rreth orës 18:17 në Laprakë. Çifti, që ishte në një lidhje prej pak javësh, ishin në mjetin tip ‘Benz C Class’ më targë AA 226 MS, ngjyrë gri, kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj tyre. Për pasojë të rinjtë u plagosën, ndërsa vajza ndërroi jetë në spital. Aktualisht Bengo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë plumba në qafë dhe shpatull.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb