Skënderbeu mbylli përgatitjet për ndeshjen e sotme dhe duket se gjithçka është gati për korçarët. Në konferencën për shtyp para ndeshjes trajneri Ivan Gvozdenoviç është shprehur besimplotë së skuadra e tij do të vijojë me rezultatet pozitive, pasi mentaliteti dhe mbi të gjitha fryma në ekip është ajo e duhura.

Për “Panorama Sport”, Gvozdenoviç tregon se i gjithë grupi është në formë të mirë dhe mungesa e Janaqit është i vetmi shqetësim për korçarët në këtë ndeshje.

Ivan, rikthehet kampionati dhe Skënderbeu pret Teutën. Si e shikoni këtë takim?
Është një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari të vështirë. Normalisht në ndeshje të tilla duhet qetësi dhe psikologji e fortë pasi janë ndeshje delikate që mund të sjellin situata të ndryshme në çdo moment. Jemi të bindur se do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë e rëndësishme për ne. Ndaj jemi munduar që të përgatitemi më mirë dhe të kërkojmë perfeksionin në këtë takim. Besoj se koha ka qenë e mjaftueshme dhe jemi të bindur se do të hyjmë në fushë me mentalitetin e duhur.

Teuta është një ekip që ju ka marrë shumë pikë sezonin e kaluar. Gati për revansh?
Nuk është një çështje revanshi, pasi ne po mendojmë vetëm për këtë takim. Nuk duam të shkojmë te sezoni i kaluar, por ajo që ju thatë qëndron. Statistikat janë të rëndësishme në sport dhe duhet të reflektojmë mbi to. Kemi parë këtë takim nga të gjitha anët dhe kemi dalë në përfundimet tona. Duhet që të bëjmë ndeshjen më të mirë tonën për të marrë maksimumin ndaj Teutës. Them se do ia dalim, pasi kemi arritur të marrim pikët e plota një javë më parë dhe ekipi është i çliruar psikologjikisht.

Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje?
Jemi mirë dhe kemi punuar shumë fort për të përmirësuar atë që kemi bërë gabim në tre javët e para. Për momentin mund të them se mungesa e vetme është dëmtimi i Janaqit që na ka krijuar mangësi në mesin e fushës. Po na rikthehet Rabiu dhe për ne është pozitive. Në anën tjetër i gjithë ekipi gëzon formë të mirë dhe është gati për këtë ndeshje.

Ndeshje ku do të tentohet vijimësia?
Patjetër që po. Ne jemi Skënderbeu dhe shkojmë gjithmonë tek objektivi maksimal në çdo ndeshje. Kjo është ajo që ne duam gjithmonë. Të shohim më pas se çfarë do të prodhojmë dhe çfarë do të marrim në bazë të asaj që kemi treguar. E theksoj që është një ndeshje që duhet të tregojmë shumë kujdes dhe të jemi të përqendruar.

Teuta nga ana tjetër kërkon pikë këtë fillim sezoni…
Nuk e kanë nisur mirë kampionatin ashtu si ne, por nuk duhet të shohim kundërshtarin se çfarë kërkon. Ne shohim rrugën tonë dhe jemi të bindur tek ajo që duam të arrijmë.

Ndërprerja e kampionatit ishte një favor për ju?
Është diçka e programuar në kalendar dhe nuk duhet ta gjykojmë, por them me sinqeritet se është një plus për ne, pasi kemi rikuperuar disa dëmtime të lehta. Të shohim në vijim tashmë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb