Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD Ivi Kaso i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha Rama vazhdon të kriminalizojë politikën, kurse shtoi se hapi kryesor për të ndryshuar situatën është largimi i kryeministrit dhe i kësaj qeverie.

“Ne platformën për reformën zgjedhore e kemi prezantuar më 2018. Në tryezën e reformës zgjedhore ne kemi folur për kriminalizimin, blerjen e votës. Platforma jonë ka qenë që të ketë reformë zgjedhore. Ne madje kemi thënë se do të dërgojmë kërkesat tona te ndërkombëtarët, kurse Rama donte të na ulte në tryezë dhe të thoshte se betohet solemnisht se nuk do vidhte vota. Pra, Rama vazhdon akoma duke vjedhur vota, vijon të kriminalizojë politikën. Hapi i parë  i zgjidhjes është largimi i Edi Ramës. Largimi i Ramës bëhet me bashkimin e shqiptarëve”, tha Kaso.

Ivi Kaso theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin moniste. Sipas Kasos, raporti i OSBE ODIHR tregon degradimin total të vendit, shkatërrimin e shtetit social.

“Zgjedhjet e 30 qershorit ishin moniste. Raporti i OSBE ODIHR tregon degradimin total të vendit, shkatërrimin e shtetit social. Më vjen keq që e them këtë, por ky është realiteti. Për fat të keq, jemi të detyruar që të jetojmë në këtë vend. ODIHR thotë se nuk u mbajt në konsideratë interesi i zgjedhjeve. Kjo është frazë shumë e rëndë. OSBE flet për proces jodemokratik. Por nga vjen ky raport skandaloz? Nga fakti se Rama ka edhe Prokurorinë, e cila nuk heton raste skandale të vjedhjes së zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Për Kason, zgjedhjet e 30 qershorit ishin ilegjitime dhe këtë fakt nuk e ka bërë të ditur vetëm opozita, por edhe ndërkombëtarët.

“Këto ishin zgjedhje ilegjitime dhe këtë e treguan edhe ndërkombëtarët. Në raport nuk gjendet asnjë fjalë e vetme ku të thuhet se zgjedhjet ishin demokratike. Një qeveri normale duhej të shqetësohej nga ky raport. Ky raport tregon se ky nuk është një vend normal, nuk mund të jesh i sigurt dhe as të rrisësh fëmijët. Vetëm rrahja me njëri-tjetrin iu kishte ngelur, sepse u pa mirë se edhe ata që numëronin votat garonin kush mund të nxjerrë sa më tepër numër të votave, për të kënaqur shefin e tyre. Kemi degradimin e sistemit zgjedhor dhe të Shqipërisë”, u shpreh Kaso.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb