Kur Shqipëria është e kapluar nga situata të pafundme krize politike, një regjisor kroat tenton të edukojë publikun me teatrin, por edhe të japë mesazhe të qarta për politikën. Tragjedia e njohur e Shekspirit “Jul Qezar” do jetë në skenë dhe do të synojë të përcjellë në kohët e reja përballjen me pushtetin. Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” , i cili po bashkëpunon me regjisorin Ivica Buljan, i cili është mundësuar dhe falë producentit të njohur Pleurat Himaduma, ka bërë një zgjedhje që duhet vlerësuar jashtëzakonisht. Shpresa është të jetë në mesin e Korrikut dhe regjisori planifikon që shfaqja të realizohet në mjediset e jashtme të Teatrit Kombëtar: bazenin dhe sheshin para teatrit.

Regjisori kroat ka kohë që e ka kaluar synimin e tij për njohje dhe sfida, kurse jeta e vet ndahet mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Për ata që nuk e dinë, artisti Buljan është nga artistët më të njohur të kohës në teatër dhe pak kohë më parë është konsideruar si një nga 10 regjisorët më të mirë në botë, shpallur nga “New York Times”.

E veçanta me këtë njeri nuk është thjesht aftësia profesionale, por mesazhet politike dhe filozofike që do të përcjellë me lëmin e vet. E quan veten një nxënës të Zhizhek, filozofit kontrovers ballkanik, por duket se formimi i tij mbart shumë nga kultura perëndimore. Dhe, që në mënyrën sesi punon me aktorët ti arrin të kuptosh mesazhet që përcjell ky njeri, i cili pikë së pari misionin e kërkon nga ana e artistëve të tij.

Profesionist i përkorë, i sjellshëm, modest, i përqendruar, ai mund të kundrohet si një njeri fare i thjeshtë, por në fakt statura e tij mbart shumë. Jo thjesht se e ka shtuar gjeografinë artistike të Ballkanit, por është një individ që nuk di të ndalet. Dhe, një artist i tillë duhet të vlerësohet sepse peshën e madhe të artit e ndan si përgjegjësi të vetë tij, artistëve që ai drejton dhe publikut që dëgjon. Në konceptin e Ivica Buljan, teatri është më shumë se edukim është një art sublim, paçka trendëve të sotme të kohës.
“Bota e sotme është e komplikuar, shumë më e komplikuar se sa në vitet tetëdhjetë, kur unë u formova, ose edhe në vitet e nëntëdhjeta, kur ra Perdja e Hekurt dhe u krijua një rend i ri evropian. Planeti Toka është bërë viktimë e kapitalizmit global. Të gjithë ne po luftojmë me problemet e ndotjes, ndryshimeve klimatike, frikën e konflikteve të luftës, duke u kthyer drejt politikave nacionaliste dhe totalitare, të cilat e shtypin lirinë. Nga ana tjetër, bota është globale, dhe është shumë e lehtë për të marrë informacion, e për t’u takuar njerëz. Procesi i progresit ka qenë i ngadalshëm në Ballkan gjatë shekujve. Demokracitë që po përpiqemi t’i krijojmë me shumë vështirësi, kanë një traditë të ndryshme në Ballkan krahasuar me atë që bëhet në Evropën Veriore. Atje teatri është pjesë e jetës shoqërore, e fokusuar në elitën. Te ne, teatri ngjan me realitetin show që zhvillohet në Parlament, në Qeveri, në media. Ka raste të shumta korrupsioni, abuzimi, e politikanët që sillen si komedianë të këqij”, citohet ai për ‘Milosao’.

Të plotë e lexoni në: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb