TIRANE– Prej katër ditësh Gjykata e Lartë turke ka vendosur për ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri. Në një lidhje me “Skype” nga Turqia, Izet Haxhia tha në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, se sapo të ekstradohet në Shqipëri do të kërkojë hapjen e dosjes.

Çfarë prisni të ndodhë me ju pas vendimit të Gjykatës së Lartë turke?
Pas vendimit që Gjykata e Lartë turke dha për ekstradimin tim, pastaj në mënyrë të rrufeshme u krye edhe miratimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë turke, e cila dha porosi për gjykatën vendore këtu që të kryhet menjëherë arrestimi im, për arsye se unë mund të largohem, sipas tyre. Por kjo nuk është e vërtetë sepse nuk kam ndonjë mendim të tillë që të largohem, pasi po të kisha dashur ta bëjë një gjë të tillë do isha larguar me kohë.

E prisnit një vendim të tillë?
Normal që e prisja, pasi në vitin 2013 gjykata vendore këtu vendosi për ekstradimin tim, pastaj pas ankesës në Gjykatën e Lartë po pritej vendimi. Por edhe këtu si në Shqipëri, ndonëse pak më ndryshe, drejtësia është e varur nga politika. Nuk është drejtësi e pavarur. Këtu gjyjatës prokurorë janë ata që kanë mbaruar medresetë me kurse 6-mujore, dhe pothuajse është e njëjta gjë. Gjithçka është politike.

Ju mendoni se kjo është një marrëveshje mes dy vendeve për ekstradimin tuaj? Është marrëveshje politike?
Po patjetër, se unë kam 12 vite që mbahem peng në Turqi, sipas interesave të qeverisë turke. Një herë duan, një herë s’duan. Kur kanë ndonjë tender andej thonë ta kthejmë, kur rregullohen, thonë mos ta kthejmë. Si top futbolli të hedhin andej-këtej. Tani nuk e di se çfarë interesi kanë në lidhje me qeverinë shqiptare, por ngaqë Shqipëria është një qendër e organizatës së Gylenit, ndoshta kanë bërë ndonjë marrëveshje për këmbimin të disa eksponentëve që ndodhen në Shqipëri. Apo rasti i aeroportit të Vlorës, nuk e di, sepse politika nuk merret vesh, është shumë e vështirë ta perceptosh se çfarë mund të sajojnë këta politikanët e famshëm.

Juve kush ua komunikoi këtë vendim?
Avokati i caktuar nga shteti turk.

Kur e morët këtë vendim? Përpara 4 ditësh?
Para 4 ditësh mora vesh vendimin e Gjykatës së Lartë turke. Të nesërmen mora vesh edhe vendimin që ka dalë urdhër-arresti për mua.

Ju e keni shkruar edhe në profilin tuaj në “Facebook” se prisni nga momenti në moment që të arrestoheni. Në çastin që do të ekstradoheni në Shqipëri dhe do të vini këtu, çfarë mendoni të bëni fillimisht? Do të kërkoni një rihapje të dosjes?
Unë e thashë atë, pasi në bazë të urdhër-arrestit, të cilin e mora vesh në mënyrë private nëpërmjet miqve të mi. Ata më thanë ik, pasi presim një urdhër për të bërë arrestimin tënd brenda një kohe 30 ditore, sepse ashtu janë procedurat sipas ligjeve. Pasi të vijnë ekipet nga Shqipëria, do bëjnë dërgimin tim në Shqipëri. Sapo të kthehem në Shqipëri, puna e parë që do të bëj është që të kërkoj hapjen e dosjes, sepse edhe në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, ligjeve të shtetit shqiptar, Kodit të ri Penal, unë e kam të drejtën time legjitime që të hap këtë çështje. Kjo pasi unë jam gjykuar, dhe dënuar, në mungesë pa pasur të drejtën e mbrojtjes, hetimit, pa pasur asnjë lloj të drejte. Ndaj kjo është e drejta ime legjitime që unë të kërkoj hapjen e këtij procesi.

Kur deklaroni se vrasja e Azem Hajdarit nuk është zbardhur, çfarë faktesh dispononi ju që nuk kanë dalë deri tani? Pasi është një vrasje e veshur me mister thoni ju.
Çështja “Hajdari” është zbardhur pjesa e ekzekutorit, pasi një ka qenë. Por kjo është një çështje shumë e komplikuar, në të cilët janë përfshirë shumë segmente. Janë përfshirë segmente nga Shërbimet Sekrete, segmente të tjerë, të cilët në bashkëpunim kanë vepruar. Nuk mund ta them me siguri por edhe shërbime sekrete të huaja kanë qenë në dijeni të këtij plani për vrasjen e Hajdarit. E them këtë pasi vrasja e tij ka qenë e përgatitur, nuk ka qenë momentale. Pas shumë analizave dhe fakteve të reja që unë kam arritur të mësoj del që ajo nuk ka qenë një vrasje momentale.

Çfarë faktesh apo informacionesh keni ju? Çfarë dispononi?
Janë tabulatet e telefonave që nuk janë paraqitur deri më sot në Gjykatë. Telefonave të Berishës, dhe Hajdarit, të cilët kanë qenë të regjistruara me emra të ndryshëm. Ato tabulate ekzistojnë.

Tabulate për ditën e vrasjes?
Po, për ditën e vrasjes dhe për orët e fundit. Ato që nga ora 3 pasdite, deri në momentin që ka arritur në Tiranë. Edhe telefonata e fundit që i është bërë atij. Janë të gjitha të regjistruara, nga kush është marrë, nga cilët numra telefoni. Janë këto telefonata që do të çojnë tek zgjidhja e këtij rrjeti të komplikuar.

Telefonata e kujt? E Berishës me kë?
E Berishës me Hajdarin, e Hajdarit me të tjerët. Sepse Azemi duke dalë nga selia e Pd ka qenë duke bërë një telefonatë, ka qenë duke folur në telefon, dhe akuza që më është bërë mua, ka qenë sikur Azem Hajdari atë telefonatë të fundit e ka bërë me mua. Në këto tabulate tregohet me kë e ka patur telefonatën.

Rreth sa telefonata janë që ju dispononi?
Sipas atyre datave që kam unë janë 12-15 telefonata që janë bërë nga ana e Berishës, që ka thirrur Azem Hajdarin atë natë.

Por ju keni vetëm tabulatet apo jo? Nuk i keni të zbardhura?
Kam numrat e telefonave të marrë nga AMC.

Po sa mund të ndihmojë tabulatet, apo mund të hidhni poshtë vetëm faktin se nuk keni qenë ju ai që jeni kontaktuar apo keni biseduar me Azem Hajdarin?
Kjo është kryesorja, pasi akuza që më është bërë dhe jam dënuar 25 vjet është se sipas tyre kam bërë telefonatë me Hajdarin, dhe e kam nxjerrë në pritë. Kjo është gjëja kryesore, me këtë akuza jam dënuar.
Gjatë kohës së qëndrimit tuaj në Turqi keni patur kontakte apo komunikim me politikanë të ndryshëm?
Në mënyrë absolute nuk kam patur asnjë lloj kontakti me asnjë lloj politikani. Për të qenë të vërtetë do të them diçka, pasi nuk mbaj asgjë të fshehtë, por tregoj realitetin. Para tre muajsh kam marrë një telefon që unë nuk e dija se telefoni i kujt ishte. E hap telefonin dhe më kërkon një person shumë i njohur i politikës, i pozitës, emrin e të cilin nuk dua t’ia them. Më thotë do vij në Turqi për një vizitë mjekësore dhe dua të takoj. I thashë nuk ju takoj dot, unë nuk jetoj në Stamboll, jam në një qytet rreth 700 kilometra larg. E vërteta është që kam kontaktuar, por nuk e kam takuar.

Gjatë kësaj kohe me çfarë jeni marrë, gjatë qëndrimit tuaj në Turqi?
Kam bërë punë të ndryshme, që pasi u lirova nga burgu. Për të siguruar jetesën time kam bërë punë të ndryshme, në ndërtim, si bodyguard, etj. Puna është punë nuk ka rëndësi çfarë bën, rëndësi ka që të jetë punë e ndershme.

Flitet për një dënim tuajin në shtetin grek. Si qëndron e vërteta?
Para 3-4 muajsh me anë të një mikut tim që kishte avokat të njohur në shteti grek, më thotë që ke një dënim këtu. Më tha është e sigurtë, dhe më tregoi një lloj dokumenti. Unë këtë e paraqita përmes FB tim, por pasi u interesova nëpërmjet avokatëve më sqaruar që nuk ekziston asnjë lloj dënimi për mua në Greqi. Ka qenë një urdhër ndalimi për mua në vitin 1998, por që ka rënë automatikisht, pasi sipas ligjeve greke pas 15 viteve po qe se ai urdhër-ndalimi nuk zbatohet, bie automatikisht. Nuk ndodhem në kërkim nga shteti grek.

Po për 5 vitet e burgut çfarë mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur?
Ishin si periudhë pushimi. Unë kam qëndruar në një nga burgjet më famëkeqe të Turqisë. Vetëm në atë kohë që kam qëndruar unë aty, në atë burg kanë ndodhur 5-6 vrasje. Sepse ishte një burg ku gjithë njerëzit problematikë nga të gjitha zonat e Turqisë, i çonin aty. E rëndësishme është që në atë burg me 2500 veta unë kam dalë faqebardhë me kokën lart, dhe emrin e shqiptarit e kam përfaqësuar në mënyrë sa më të mirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb