TIRANE– Izet Haxhia thotë se vrasja e Azem Hajdarit ishte e paramenduar, dhe sipas tij, deri më tani është zbardhur vetëm një pjesë e saj. Në një lidhje me “Skype” nga Turqia, Izet Haxhia tha në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, se sapo të ekstradohet në Shqipëri do të kërkojë hapjen e dosjes. Ai thotë se disponon disa tabulate telefonike, që do të çojnë drejt zbardhjes së ngjarjes.

Izet Haxhia thotë se në këtë ngjarje janë përshirë shumë segmente, mes tyre edhe shërbimet sekrete.

PJESE NGA INTERVISTA
Kur deklaroni se vrasja e Azem Hajdarit nuk është zbardhur, çfarë faktesh dispononi ju që nuk kanë dalë deri tani? Pasi është një vrasje e veshur me mister thoni ju.
Çështja “Hajdari” është zbardhur pjesa e ekzekutorit, pasi një ka qenë. Por kjo është një çështje shumë e komplikuar, në të cilët janë përfshirë shumë segmente. Janë përfshirë segmente nga Shërbimet Sekrete, segmente të tjerë, të cilët në bashkëpunim kanë vepruar. Nuk mund ta them me siguri por edhe shërbime sekrete të huaja kanë qenë në dijeni të këtij plani për vrasjen e Hajdarit. E them këtë pasi vrasja e tij ka qenë e përgatitur, nuk ka qenë momentale. Pas shumë analizave dhe fakteve të reja që unë kam arritur të mësoj del që ajo nuk ka qenë një vrasje momentale.

Çfarë faktesh apo informacionesh keni ju? Çfarë dispononi?
Janë tabulatet e telefonave që nuk janë paraqitur deri më sot në Gjykatë. Telefonave të Berishës, dhe Hajdarit, të cilët kanë qenë të regjistruara me emra të ndryshëm. Ato tabulate ekzistojnë.

Tabulate për ditën e vrasjes?
Po, për ditën e vrasjes dhe për orët e fundit. Ato që nga ora 3 pasdite, deri në momentin që ka arritur në Tiranë. Edhe telefonata e fundit që i është bërë atij. Janë të gjitha të regjistruara, nga kush është marrë, nga cilët numra telefoni. Janë këto telefonata që do të çojnë tek zgjidhja e këtij rrjeti të komplikuar.

Telefonata e kujt? E Berishës me kë?
E Berishës me Hajdarin, e Hajdarit me të tjerët. Sepse Azemi duke dalë nga selia e Pd ka qenë duke bërë një telefonatë, ka qenë duke folur në telefon, dhe akuza që më është bërë mua, ka qenë sikur Azem Hajdari atë telefonatë të fundit e ka bërë me mua. Në këto tabulate tregohet me kë e ka patur telefonatën.

Rreth sa telefonata janë që ju dispononi?
Sipas atyre datave që kam unë janë 12-15 telefonata që janë bërë nga ana e Berishës, që ka thirrur Azem Hajdarin atë natë.

Por ju keni vetëm tabulatet apo jo? Nuk i keni të zbardhura?
Kam numrat e telefonave të marrë nga AMC.

Po sa mund të ndihmojë tabulatet, apo mund të hidhni poshtë vetëm faktin se nuk keni qenë ju ai që jeni kontaktuar apo keni biseduar me Azem Hajdarin?
Kjo është kryesorja, pasi akuza që më është bërë dhe jam dënuar 25 vjet është se sipas tyre kam bërë telefonatë me Hajdarin, dhe e kam nxjerrë në pritë. Kjo është gjëja kryesore, me këtë akuza jam dënuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb