Kryeministri në ikje, Benjamin Netanyahu paralajmëroi sot se siguria e Izraelit do të ishte në rrezik nëse rivali i tij i qendrës ”Bardheblu”, Benny Gantz do të formonte një qeveri të re minoritare të mbështetur nga ligjvënësit arabë.
“Siguria e Izraelit nuk mund të varet nga ligjvënësit arabë, Ayman Odeh, Ahmed Tibi dhe miqtë e tyre, në listën e përbashkët të aleancës arabe”, deklaroi kryeministri në ikje Netanyahu përmes një videoje të publikuar në mediat sociale.
“Do të ishte një rrezik për sigurinë e Izraelit”, tha Netanyahu.
Deklarata e liderit të partisë ”Likud”, Netanyahu vjen në një kohë kur kreut të partisë ”Bardheblu” Gantz i kanë mbetur edhe katër ditë për të formuar një qeveri të re.
Ngërçi politik i shkaktuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit e ka kthyer në një sfidë procesin e formimit të një qeverie, pasi aktualisht as Gantz dhe as Netanyahu nuk arritën të sigurojnë një shumicë të mjaftueshme për të formuar një qeveri të re.//ATSH