Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka deklaruar se është e nevojshme që Izraeli të shmangë hapjen e një fronti të dytë kundër grupit militant libanez, Hezbollah.

Ai tha gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, në Pentagon se një luftë tjetër midis Izraelit dhe Hezbollahut lehtësisht mund të shndërrohet në një luftë rajonale me pasoja të tmerrshme për Lindjen e Mesme.

“Prandaj, deri më tani, diplomacia është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzim të mëtejmë”, tha Austin.

Gallant tha se “ne po punojmë ngushtë së bashku për të arritur një marrëveshje, por ne duhet po ashtu të diskutojmë për gatishmërinë për çdo skenar të mundshëm”.

Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, ka sulmuar Izraelin pothuajse menjëherë pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi Izraelin, duke nxitur luftën në Gaza.

Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer goditje thuajse çdo ditë, duke detyruar që dhjetëra mijëra persona të zhvendosen në dy anët e kufirit. Luftimet janë përshkallëzuar javët e fundit, duke rritur frikën se ato mund të shndërrohen në luftë të gjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb