Liderët botërorë i kanë bërë thirrje Izraelit që të shmangë një pushtim të plotë të Libanit, pasi ushtria izraelite tha se kishte nisur operacione tokësore si pjesë e përballjes së saj të fundit me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Dy rivalët e kahmotshëm janë përfshirë në përplasje më të vogla që nga shpërthimi i luftës në Gazë, por tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa Izraeli ka zhvendosur fokusin e tij në kufirin verior dhe ka kryer një sulm në të cilin u vra kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Vetë Hezbollahu mohoi që trupat izraelite të kishin kaluar në Liban.

Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Shefi i OKB-së kërkon armëpushim të menjëhershëm
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje të martën për një armëpushim të menjëhershëm në Liban dhe për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

“Një luftë e plotë duhet të evitohet në Liban me çdo kusht”, tha Dujarric në një deklaratë, duke shtuar se Guterres foli me kryeministrin e përkohshëm të Libanit, Najib Mikati, më herët gjatë ditës, duke i thënë se OKB-ja ishte e gatshme t’i ndihmonte ata që kishin nevojë.

“Sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë kontaktet e tij, dhe përfaqësuesit e tij në terren gjithashtu do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të qetësuar situatën”, tha Dujarric.

SHBA: Mbështetje e kufizuar
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi më 30 shtator se ishte kundër dërgimit të trupave izraelite në Liban, duke shtuar se “duhet të kemi një armëpushim tani”.

Megjithatë, disa orë më vonë, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dha mbështetjen e Uashingtonit për “shkatërrimin e infrastrukturës sulmuese përgjatë kufirit”.

BE: Koha që armët të heshtin dhe të flasë diplomacia
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka përsëritur thirrjet e bllokut evropian për armëpushim të menjëhershëm dhe u ka kërkuar të dyja palëve të “tregohen të pëmbajtur në interes të de-përshkallëzimit të situatës”.

“Armët duhet të heshten tani dhe zëri i diplomacisë duhet të flasë dhe të dëgjohet nga të gjithë”, thuhet në deklaratën e shefit të politikës së jashtme të BE-së.

Borrell shprehu keqardhje për dëmet e shkaktuara tashmë në Liban dhe për numrin e madh të personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Liban dhe Izrael.

“Gjuajtja e raketave që Hezbollahu ka lëshuar në territorin izraelit që nga 8 tetori duhet të ndalet. Sovraniteti i Izraelit dhe Libanit duhet të garantohet. Çdo ndërhyrje ushtarake e mëtejshme do ta përkeqësonte ndjeshëm situatën”, shtoi Borrell.

Irani: S’do të dërgojë trupa në mbështetje të Hezbollahut
Edhe pse mbështetësi kryesor i Hezbollahut, Irani, kishte premtuar “shkatërrimin” e Izraelit për vrasjen e liderit të grupit militant, Nasrallah, Teherani tha se nuk do të dërgonte trupa në Liban.

“Nuk ka nevojë të dërgohen forca shtesë apo vullnetare të Republikës Islamike të Iranit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani.

E njëjta gjë u tha edhe për Gazën, ku Izraeli është përfshirë në luftë me Hamasin — grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, që gjithashtu mbështetet nga Teherani — që nga sulmi në Izrael më 7 tetor.

Rusia: Izraeli të tërhiqet nga Libani
Rusia, që ka lidhje të ngushta me Iranin, bëri thirrje që Izraeli “të ndalojë menjëherë armiqësitë, të tërheqë trupat nga territori libanez dhe të angazhohet në një kërkim të vërtetë për zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme”.

“Ne shprehim solidaritetin tonë me udhëheqjen dhe popullin e Libanit miqësor, i cili është përballur me agresion të armatosur”, tha Ministria e Jashtme ruse.

Kina: Thellësisht e shqetësuar
Pas njoftimit të Izraelit, Kina tha se ishte “thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin” dhe kundërshtonte “shkeljet e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Libanit”.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, Kina gjithashtu paralajmëroi kundër “veprimeve që përshkallëzojnë konfliktet dhe çojnë në një përkeqësim të mëtejshëm të situatës rajonale”.

Turqia: Ofensiva e Izraelit, përpjekje për pushtim të paligjshëm
Si kritik i shpeshtë i sulmeve të Izraelit ndaj Libanit dhe sjelljes së shtetit izraelit gjatë luftës në Gazë, Turqia dënoi ofensivën tokësore të Izraelit si një “përpjekje të paligjshme pushtimi”.

“Ky sulm duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe ushtarët izraelitë duhet të tërhiqen nga territori libanez”, tha Ministria e Jashtme turke.

“Të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, veçanërisht OKB-ja, duhet të ndalojnë Izraelin pa humbur më shumë kohë”, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan, i cili shtoi se Izraeli mund ta synojë edhe Turqinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb