Ushtria izraelite i ka urdhëruar palestinezët të evakuohen në numër të madh nga pjesa më e madhe e qytetit të dytë më të madh të Rripit të Gazës, Khan Junis.

Urdhri i së hënës është shenjë se trupat izraelite me gjasë do ta nisin një ofensivë të re në qytetin jugor të Gazës, shkruan REL.

Izraeli e përfundoi pushtimin e Kan Junisit në fillim të këtij viti dhe i tërhoqi shumicën e forcave nga atje.

Urdhri për evakuim lë të kuptohet se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – mund të jetë rigrupuar në këtë zonë.

Izraeli ka thënë se është në përfundim të ofensivës në qytetin aty pranë, Rafah. Ndërkohë, në Gaza City në veri është raportuar për luftime të ashpra në javët e fundit.

Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se vendimi i Izraelit “tregon përsëri se nuk ka vend të sigurt në Gazë” dhe se nevojiten “më shumë përpjekje për t’i mbrojtur civilët”.

Prej se e nisën luftën tokësore në Gazë, forcat izraelite kanë lëvizur vazhdimisht drejt jugut në territorin palestinez, duke synuar t’i shkatërrojnë batalionet e Hamasit, megjithëse luftimet kanë rifilluar në veri.

Izraeli dhe Hamasi duket se po pajtohen çdo herë e më pak për mënyrën se si duhet të zbatohet një marrëveshje e mundshme për armëpushim.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: