Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje botës islame që të ndërmarrë veprime kundër Izraelit në përgjigje të sulmit të fundit vdekjeprurës në Rripin e Gazës.
Erdogan, u tha ligjvënësve nga partia e tij AKP sot se Izraeli përfaqësonte një kërcënim për ‘të gjithë njerëzimin’.
“Kam disa fjalë për t’i thënë botës islame: çfarë prisni për të marrë një vendim të përbashkët?” tha Erdogan.
“Izraeli nuk është vetëm një kërcënim për Gazën, por për të gjithë njerëzimin,” shtoi ai.
“Asnjë shtet nuk është i sigurt për sa kohë që Izraeli nuk ndjek ligjin ndërkombëtar dhe nuk ndihet i detyruar nga ligji ndërkombëtar”, shtoi Erdogan, duke përsëritur akuzën se Izraeli po kryen “gjenocid” në Gaza.
Ai gjithashtu e quajti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu një “vampir” dhe e akuzoi atë për vrasjen e “civilëve të pafajshëm në çadrat e tyre”. Ai gjithashtu synoi Perëndimin si ‘bashkëpunëtor’ me luftën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.