Izraeli ka paralajmëruar për veprime hakmarrëse pas një sulmi me raketa të lëshuar nga territori libanez, njofton Al Arabiya.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz , deklaroi se qeveria libaneze është përgjegjëse për çdo goditje raketore nga toka e saj që synon Izraelin.
Sipas ushtrisë izraelite, tre raketa u hodhën nga Libani në veri të Izraelit, veçanërisht në drejtim të qytetit kufitar të Metula. Të gjitha raketat u kapën nga sistemet e mbrojtjes raketore të Izraelit.
Katz ka urdhëruar ushtrinë të marrë “masat e duhura” në përgjigje të sulmit.
Ky sulm me raketa është i pari që nga marrëveshja e armëpushimit e ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca më 27 nëntor 2024, e cila kërkonte vendosjen e ushtrisë libaneze përgjatë kufirit jugor dhe tërheqjen e militantëve të Hezbollahut pas lumit Litani, të mbështetur nga paqeruajtësit e OKB-së.
(A.A/BalkanWeb)