Ushtria izraelite kërkoi falje sot për sulmin që vrau tre ushtarë libanezë në Libanin jugor dhe deklaroi se nuk lufton kundër ushtrisë libaneze.

Ajo shtoi se ushtarët izraelitë besonin se kishin në shënjestër një automjet që i përkiste grupit militant Hezbollah.

Natën e kaluar, Izraeli goditi dhjetë degë të bankës, e cila menaxhohet nga Hezbollahu në Liban dhe që sipas Izraelit përdoret për financimin e Hezbollahut, por ku edhe shumë njerëz të thjeshtë mbajnë kursimet e tyre.

Degët e bankës Al Qard al Hasemi u vunë në shënjestër të sulmeve izraelite mbrëmë. Banka njoftoi se depozitat e depozituesve të saj janë të sigurta dhe se që nga fillimi i konfliktit, banka ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e depozitave dhe njerëzve nga goditjet.

Sulmet ajrore ishin të forta dhe u shkatërruan disa ndërtesa banimi, ku banka përdor katin përdhes për zyrat e saj. Nuk dihet se sa njerëz janë dashur të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas BBC.

Forcat izraelite hynë në zonën kufitare të Libanit jugor në fillim të muajit dhe po operojnë në një brez të ngushtë përgjatë kufirit. Në të njëjtën kohë, Izraeli po kryen sulme ajrore në disa zona në të gjithë Libanin duke synuar ato që ai thotë se janë vendndodhje të Hezbollahut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb