Izraeli do të kryejë sulme të synuara në vendet që i përkasin krahut financiar të Hezbollahut në Liban në orët e ardhshme dhe banorët libanezë duhet të evakuojnë zonat afër këtyre objekteve, tha të dielën një zëdhënës ushtarak izraelit.

“Ne do të sulmojmë një numër objektivash në orët e ardhshme”, tha zëdhënësi Daniel Hagari në një konferencë shtypi. “Në orët e ardhshme ne do të lëshojmë një paralajmërim evakuimi për banorët libanezë në Bejrut dhe vende të tjera që të evakuohen nga vendet që përdoren për financimin e aktiviteteve terroriste të Hezbollahut.”

Një zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite shtoi se ata do të sulmonin degë të ndryshme të krahut financues të Hezbollahut të mbështetur nga Irani, al-Qard al-Hassan. Nuk u dhanë detaje rreth vendndodhjeve të vendeve që do të synoheshin.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj al-Qard al-Hassan në vitin 2007, duke thënë se ai përdorej nga Hezbollahu “si një mbulesë për të menaxhuar aktivitetet financiare të grupit terrorist dhe për të fituar akses në sistemin financiar ndërkombëtar”.

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb