Izraeli i ka hapur vendkalimet kufitare me Rripin e Gazas pasi më parë i kishte mbyllur ato për shkak të shpërthimit të dhunës së përgjakshme disa ditë më parë. Një zëdhënëse e ministrisë izraelite të mbrojtjes tha se pika kufitare për kalimin e njerëzve, “Erez” dhe pika kufitare për kalimin e mallrave, “Kerem Shalom” janë të hapura dhe po funksionojnë normalisht.

Të dy këto vendkalime ishin mbyllur më 4 maj, kur militantët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik hodhën qindra raketa në Izrael dhe ushtria izraelite kreu disa sulme ajrore në Gaza si kundërpërgjigje.

Katër civilë izraelitë dhe 25 palestinezë, përfshirë nëntë militantë, u vranë gjatë luftimeve dyditore, të cilat përfunduan pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi mes palëve.

Zyrtarët palestinezë thanë se Izraeli është pajtuar që ta lehtësojë bllokadën e gjatë të enklavës së varfër në këmbim të qetësimit të situatës. Izraeli nuk e ka konfirmuar marrëveshjen, por tashmë e ka larguar ndalesën për barkat palestineze të peshkimit që veprojnë në bregdetin e Gazas.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb