Ushtria izraelite (IDF) nisi një sulm të ri në qytetin Khan Younis në Gaza, dhe gjatë sulmit, të paktën 11 palestinezë u vranë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se të paktën 34 njerëz u vranë në të gjithë Rripin e Gazës dhe të paktën 11 në Khan Younis.

Sipas të dhënave nga ky qytet palestinez, sulmi izraelit ka ardhur pa paralajmërim dhe se tanket kanë hyrë në qendër të qytetit, shkruan aljazeera.

Në qytetin Deir Al-Balah, ku strehoheshin të paktën një milion njerëz, një sulm ajror izraelit vrau tetë palestinezë pranë një shkolle që shërbente si strehë për familjet e zhvendosura, thanë mjekët.

Ata theksuan gjithashtu situatën në qytetin Nuseirat, ku gazetari Mohammed Abed-Rabbo u vra së bashku me motrën në një sulm izraelit në shtëpinë e tyre.

Zyra e mediave e qeverisë së Gazës tha se vdekja e Abed-Rabbo e çoi numrin e gazetarëve palestinezë të vrarë nga Izraeli në 172 që nga 7 tetori i vitit 2023.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 40500 palestinezë kanë vdekur në luftë. Shifrat zyrtare nga Izraeli thonë se rreth 1200 qytetarë të këtij vendi janë vrarë që nga fillimi i këtij konflikti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb