Teherani ka paralajmëruar që Izraeli mund të përballet me hakmarrje për shkak të sulmit të fundit në qendra ushtarake iraniane, ndonëse lideri suprem i shtetit nuk ka treguar shumë gatishmëri në vazhdimin e sulmeve të njëpasnjëshme mes dy armiqve rajonalë.

Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, ka thënë më 28 tetor se Izraeli do të përballet me “pasoja të hidhura” për kryerjen e sulmeve ajrore në territorin iranian dy ditë më parë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka thënë më 28 tetor se Teherani do t’i përdorë të gjitha mjetet që ka për t’iu përgjigjur sulmit izraelit.

Izraeli, në anën tjetër, ka thënë se me sukses ka kryer sulme hakmarrëse “precize” në qendrat ushtarake iraniane.

Sulmet – që kanë qenë përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër Izraelit më 1 tetor, edhe ato si përgjigje për vrasjen e një komandanti të Gardës Revolucionare Islamike – janë kryer teksa rriten shqetësimet që Izraeli mund të niste një sulm masiv, duke rritur mundësinë për përshkallëzim në një luftë të madhe mes dy fuqive rajonale.

Ekspertët sugjerojnë se sulmet u kanë dhënë Izraelit dhe Iranit mundësi për të shmangur një luftë të madhe rajonale.

Irani ka thënë se ka pranuar paralajmërim nga Izraeli para nisjes së sulmeve, të fundit në kuadër të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit, të lidhura me luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë dhe rolin e Iranit në mbështetjen e grupeve militante anti-izraelite në rajon.

Zyrtarët iranianë kanë insistuar se mbrojtja iraniane i ka shkatërruar në ajër shumicën e raketave më 26 tetor, mirëpo e ka pranuar se katër ushtarakë iranianë janë vrarë, si pasojë e sulmeve.

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë më 27 tetor se veprimet e Izraelit “nuk janë kalkuluar mirë”, mirëpo nuk ka bërë thirrje për përgjigje iraniane.

Khamenei u ka bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë të kuptojnë “kapacitetin” e Iranit, dhe ka këshilluar që është gabim “ekzagjerimi” i ndikimit të sulmeve izraelite, ashtu sikurse “minimizimi” i tyre.

Hossein Salami, komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike, është cituar të ketë thënë se veprimet e ushtrisë izraelite nuk e kanë arritur “synimin”.

Edhe ai ka thënë se sulmet nuk janë menduar mirë dhe janë kryer “në moment dëshpërimi” të Izraelit, teksa vazhdon betejat kundër grupeve që përkrah Irani në Rripin e Gazës dhe Liban.

Grup palestinez Hamas, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, është duke luftuar me Izraelin prej tetorit të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 persona.

Disa janë liruar, një pjesë konsiderohet se kanë vdekur.

Nga ofensiva izraelite në Gazë janë vrarë mbi 42.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli ka nisur luftë edhe kundër Hezbollahut në jug të Libanit, një pjesë të të cilit e kontrollon.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa BE-ja e ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak, jo edhe atë politik./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb