Izraeli njoftoi të martën zgjerimin e objektivave të luftës duke përfshirë krijimin e kushteve për kthimin e banorëve të Izraelit verior në shtëpitë e tyre. Izraelitët u evakuuan nga kjo zonë për shkak të përleshjeve midis trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut përgjatë kufirit Izrael-Liban.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se kabineti i sigurisë e mori këtë vendim të hënën në mbrëmje.
Hezbollahu, aleat i Hamasit, filloi sulme pothuajse të përditshme menjëherë pas fillimit të luftës në Gazë. Kjo luftë detyroi dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Hezbollahu, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, ka thënë se do t’i ndalojë sulmet nëse ka një marrëveshje armëpushimi për Gazën.
Përpjekjet për të arritur këtë armëpushim kanë zgjatur me muaj, me përfshirjen e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit që përpiqen të gjejnë kushte të pranueshme si për Izraelin ashtu edhe për Hamasin.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken udhëtoi në Egjipt të martën mes përpjekjeve të vazhdueshme për të angazhuar partnerët kryesorë në Lindjen e Mesme për të paraqitur një propozim të rishikuar për armëpushim.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të hënën, “Ne vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Egjiptin dhe Katarin, për atë që do të përmbajë propozimi dhe po bëjmë përpjekje të arrijmë tek një propozim që mund t’i afrojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare”.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët kanë treguar se ai do të paraqitet së shpejti. Propozimi synon të zgjidhë çështjet kryesore pas ngërçit të krijuar së fundmi, duke synuar të sigurojë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të mbetura të marra nga militantët e Hamasit në fillimin e luftës më 7 tetor 2023.
Sekretari Blinken pritet të takohet me zyrtarë rajonal, megjithatë, udhëtimi i tij nuk përfshin një ndalesë në Izrael për bisedime me udhëheqësit e tij.
Sekretari Blinken u takua të hënën në Uashington me Yair Lapidin, udhëheqësin e opozitës dhe ish-kryeministër i Izraelit.
Pas takimit, zoti Lapid u tha gazetarëve se Izraeli ka nevojë për një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe për pëpfundimin e luftës në Gazë, duke theksuar se asnjë proces politik apo trazirë nuk duhet të ndikojë në marrëveshje. Zoti Lapid i kërkoi Uashingtonit të mos e lejojë Hamasin “të anashkalojë një marrëveshje pengjesh”.
Përpjekjet humanitare
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Sigrid Kaag, koordinatorja e OKB-së për çështjet humanitare dhe rindërtimin për Gazën dha një konferencë të zymtë për shtypin mbi situatën e civilëve palestinezë.
“Koha po ikën ndërsa kriza humanitare e krijuar nga njeriu e ka kthyer Gazën në humnerë”, tha ajo. “Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve dhe një qasje të papenguar e të vazhdueshme humanitare për të ofruar ndihma në të gjithë Rripin e Gazës”.
Të dhënat nga zyra e OKB-së për çështjet humanitare tregojnë se numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Gazë çdo ditë është ulur në mënyrë të vazhdueshme. Në muajin prill, sipas OKB-së, në Gazë kanë hyrë 169 kamionë në ditë. Kjo ka rënë në 69 kamionë në ditë në gusht dhe vetëm 62 kamionë në ditë gjatë nëntë ditëve të para të shtatorit.
Izraeli mohon se pengon dërgesat e ndihmave.
“Ne kemi shkuar përtej detyrimeve tona, duke synuar të përmirësojmë mirëqenien e një popullsie civile të bllokuar brenda armikut”, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon.
Hamasi shkaktoi konfliktin me sulmin e tij të tetorit të vitit 2023 në Izraelin jugor që vrau 1200 njerëz dhe mori peng 250 individë. Përgjigja ushtarake e Izraelit në Gazë, sipas të dhënave të pakonfirmuara nga burime të pavarura, ka vrarë më shumë se 41,200 palestinezë. Në këtë numër të të vdekurve, Izraeli thotë se përfshihen disa mijëra luftëtarë militantë./ VOA