Një valë dhune shpërtheu të enjten vonë në Amsterdam kur mbështetësit e klubit izraelit të futbollit Maccabi Tel Aviv dyshohet se kryen akte vandalizmi në qytet, duke rrëzuar flamuj palestinezë në pronat private dhe duke brohoritur parulla provokuese, transmeton Anadolu.

Incidentet, të cilat ndodhën para dhe pas ndeshjes së Maccabit kundër Ajaxit, kanë ngjallur zemërim të gjerë, me raportime për përplasje të tifozëve izraelitë me kalimtarët, vandalizimin e pronave dhe ndezjen e një flamuri palestinez.

Videot e shpërndara gjerësisht në mediat sociale shfaqin tifozët e Maccabit jo vetëm duke vandalizuar pronat private, por gjithashtu duke sulmuar një shofer taksie dhe madje duke u përballur me zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Redaktori Max Blumenthal i “The Grayzone News” komentoi sot pamjet që qarkullojnë në internet, duke thënë:

“Shumë video po qarkullojnë në me huliganë izraelitë futbolli që vandalizojnë pronat në Amsterdam, duke sulmuar policët dhe kalimtarët dhe duke grisur flamuj palestinezë. Tani kjo turmë e dhunshme fashistësh po luan viktimën dhe po pret transportin ajror në koloni”.

Leyla Hamed, një gazetare futbolli, gjithashtu konfirmoi të enjten vonë komentet e Blumenthalit:

“Huliganë nga klubi izraelit Maccabi Tel Aviv marshuan nëpër rrugët e Amsterdamit… Ata vodhën flamujt palestinezë nga shtëpitë dhe madje i vunë flakën një flamuri palestinez”.

Pas një vale dhune nga tifozët e Maccabit, zyrtarët izraelitë i etiketuan incidentet si “dhunë ndaj qytetarëve izraelitë”.

Në një postim në X, kryeministri Benjamin Netanyahu dënoi atë që ai e përshkroi si një “incident shumë të dhunshëm kundër qytetarëve izraelitë në Amsterdam”.

Ai njoftoi dërgimin e menjëhershëm të avionëve të shpëtimit për të ndihmuar qytetarët izraelitë në qytet, duke pohuar se “pamjet e ashpra të sulmit ndaj qytetarëve tanë në Amsterdam nuk do të anashkalohen”.

Netanyahu kërkoi veprim të shpejtë nga qeveria holandeze, duke u kërkuar autoriteteve të “ndërmarin veprime të fuqishme dhe të shpejta kundër rebelëve” dhe të mbrojnë qytetarët izraelitë.

Gazeta e përditshme me bazë në Amsterdam, “Het Parool”, gjithashtu raportoi të enjten se dy arrestime u bënë pas përleshjeve të pasdites në sheshin Dam, megjithëse identitetet e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: