Shqipëria voton sot për kryetarët e rinj të 61 bashkive. Qytetarët zgjedhin sot mes 157 kandidatëve për drejtuesit vendorë, për herë të parë me reformën e re administrative që ka reduktuar njësitë e qeverisjes vendore. Po cilat janë përballjet në 61 bashki:

1- TIRANË
Gjashtë kandidatë janë pjesë e garës për Bashkinë e Tiranës. Në kryeqytet votohet në 866 qendra votimi, ndërkohë që të drejtën e votës në Bashkinë e madhe të Tiranës e kanë 608.829 votues. Në fletën e votimit të hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i pari është kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhiu, më pas Sazan Guri dhe i treti Halim Kosova. Renditja e fletës së votimit vijon me Dhimitër Muslinë e partisë së Mark Frrokut, Arben Tafaj dhe i gjashti është kandidati i maxhorancës, Erion Veliaj. Në katër vitet e fundit Bashkia e Tiranës u drejtua nga Lulzim Basha, i cili mundi në zgjedhjet e 8 majit Edi Ramën me rreth 100 vota diferencë.

2- KAVAJË
Bashkia bastion e demokratëve deri në vitin 2011 po qeveriset prej katër vitesh nga e majta. Elvis Roshi arriti të thyejë tabunë duke ua marrë demokratëve ‘kalanë’ në vitin kur pushtetin qendror e kishte pikërisht PD-­ja. Roshi kërkon një mandate të dytë dhe përballë do të ketë ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ëngjëll Cara. Në këtë bashki janë thirrur për të votuar 60466 zgjedhës me të drejtë vote në 86 qendra votimi. Në fletën e votimit Roshi është i pari në renditje ndërsa Cara i dyti.

3- KAMZË
Në Bashkinë e Kamzës, një ndër 6 bashkitë më të mëdha në vend 89.679 zgjedhës me të drejtë vote janë thirrur sot për të votuar një prej kandidatëve në garë që do ti qeverisë në katër vitet e ardhshme. Safet Gjici i mbështetur nga koalicioni i majtës (ish prefekt i Kukësit) do të jetë përballë kryebashkiakut aktual Xhelal Mziu, i cili mbështetet nga opozita. Në këtë bashki zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë në 120 qendra votimi. Në dy mandatet e kaluara Bashkia e Kamzës është qeverisur nga Mziut i Partisë Demokratike.

4- VORË
Pas incidenteve dhe akuzave të shumta paraelektorale, sot do të kenë të drejtë të zgjedhin kryebashkiakun e katër viteve të ardhshme 27496 zgjedhës. Në të gjithë zonën do të jenë 42 qendra votimi. Në fletën e votimit Fiqiri Ismaili i opozitës është numri 1, ndërsa Luan Sallaku i së majtës është numri 2.

5- RROGOZHINË
Në Rrogozhinë demorkatët do të përballen me një prej ish-aleatëve të tyre. Beqir Nuredini, aktualisht anëtar i PD-­së në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të kandidojë nën ‘çadrën’ e koalicionit të majtë, si çam për bashkinë e këtij qyteti përballë Eqerem Deliut të APPD-së.

Në Rrogozhinë janë thirrur për të votuar 29 928 zgjedhës në 54 qendra votimi. Fleta e votimit do të jetë me tre kandidatë ku i pari është Beqir Nuredini, i dyti kandidati i PSD-­së Arben Ajdini dhe i treti kandidati i opozitës Eqerem Deliu.

6- DURRËS
Në sondazhet parazgjedhore është bashkia ku pritet të jetë gara më e fortë. Vangjush Dako kërkon mandatin e tretë dhe përballë tij është një prej figurave të reja të Partisë Demokratike Grida Duma. Bashkia e re e Durrësit që përfshin edhe disa komuna ka gjithsej 233.227 qytetarë me të drejtë vote dhe sot janë hapur 310 qendra votimi. Si bashki e madhe Durrësi është ndarë në katër KZAZ dhe numërimi i votave për qytetin do të bëhet në katër vende të ndryshme.

7- KRUJË
Për herë të parë në një proces zgjedhor Kruja dhe Fushë-Kruja do të jenë në një bashki. Reforma territoriale i ka bashkëngjitur këtyre dy qyteteve edhe disa komuna duke e çuar numrin e zgjedhësve në 58 mijë. Në të gjithë zonën janë ngritur 88 qendra votimi. Kruja është një nga bashkitë ku njëri prej kandidatëve la mandatin e deputetit. Artur Bushi i zgjedhur deputet në këtë zonë në 23 qershor 2013 do të garojë përballë kandidatit të PD­-së Hamdi Pasha.

8- SHIJAK
Në Bashkinë e Shijakut nuk do të kandidojnë vetëm dy koalicionet e mëdha. Mehmet Rakipi i Aleancës Popullore, është regjistruar për tu bërë pjesë e zgjedhjeve të 21 qershorit. Kjo forcë politike, me mbështetje të një pjese të komunitetit çam, ishte në koalicion me Partinë Socialiste në 2013. Adrian Kokomani i PS­-së dhe Redi Saraçi i PD­së do të kërkojnë votat e 33 mijë zgjedhësve në 53 qendra votimi të ngritura nga KQZ-­ja.

9- BERAT
Në bashkinë e re të Beratit do të jenë mbi 77 mijë qytetarë me të drejtë vote të cilët do të kenë mundësinë të zgjedhin kryetarin e ardhshëm. Nga maxhoranca kandidon Petrit Sinaj, i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa nga opozita kandidon Kasem Mahmutaj. Në të gjithë territorin e Bashkisë së re janë të vendosura 124 qendra votimi. Bashkia e Beratit është një nga bastionet e së majtës. Kjo bashki ishte nga të paktat ku kryeministri Rama vendosi të mos kandidonte kryetarët aktualë, të cilët kishin fituar disa mandate.

10- POLIÇAN
Poliçani është një nga bashkitë më të vogla të Shqipërisë. Më pak se 14 mijë zgjedhës do të shkojnë në 26 qendra votimi për të zgjedhur kryetarin e ri të Bashkisë. Për koalicionin e majtë në këto zgjedhje kandidon i përhershmi Adriatik Zotkaj, ndërsa për koalicionin e djathtë Florian Qama.

11- KUÇOVË
Në garën për Bashkinë e Kuçovës do të jenë në garë tre kandidatë. Përveç dy kandidatëve të koalicioneve të mëdha, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Selfo Kapllani) dhe Alenca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Myslim Haxhi), ne garë është edhe një tjetër kandidat i majtë. Ramiz Oboni i Frontit të Majtë synon ti marrë vota maxhorancës në 21 qershor. Në Bashkinë e Kuçovës janë thirrur për të votuar mbi 43 mijë zgjedhës në 69 qendra votimi.

12- SKRAPAR
Një tjetër bashki e vogël që i rezistoi reformës territoriale të këtij viti është Bashkia e Skraparit. Në këtë bashki kanë të drejtë të votojnë 14.602 zgjedhës të cilëve do tu vijnë në ndihmë 34 qendra votimi. Për shumicën në këtë zonë, e cila konsiderohet bastion edhe për LSI­në, jo më vetëm për PS­në kandidon Nesim Spahiu. Ndërsa për Partinë Demokratike kandidon Hajredin Bakiasi.

13- URË VAJGURORE
Kandidatja e maxhorancës në këtë bashki nuk do të ishte bërë e njohur për publikun nëse asaj nuk do ti botohej një fotografi duke i puthur dorën një të moshuare në fushatën elektorale. Juliana Memaj e maxhorancës e postoi vetë fotografinë në facebook, prej nga ku nisën edhe ironitë për xhestin e saj. Përballë Memës është ish prefekti i PD­së në Berat, Bujar Hoxhaj. Emri i tij doli në një përgjim të bërë nga anëtarët e grupit të drogës në laboratorin e Xibrakës ku ai identifikohej si biznesmeni i bojërave.

14- DIBËR
Pas Tiranës është bashkia me numrin më të madh të kandidatëve. Pesë kandidatë do të diskutojnë sot fitoren e kësaj bashkie me 56 mijë zgjedhës me të drejtë vote. Dy favoritët janë Ilir Krosi i PD-­së, i cili kërkon mandatin e katërt dhe Shukri Xhelili i së majtës që kërkon të rrëzojë një tjetër bastion të demokratëve. Bashkia e Dibrës ka 123 qendra votimi me hartën e re territoriale.

15- BULQIZË
Në Bashkinë e Bulqizës kandidojnë vetëm dy kandidatë të koalicioneve të mëdha. Melaim Damzi garon nën siglën e koalicionit të majtë, ndërsa Durim Balla në siglën e koalicionit të djathtë. Në këtë bashki janë 29 mijë zgjedhës me të drejtë vote të cilët do të paraqiten në 57 qendra votimi.

16- KLOS
Një tjetër bashki e vogël është ajo e Klosit. Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 15 mijë zgjedhës kanë të drejtë vote në këtë njësi vendore, ndërkohë që janë ngritur 32 qendra votimi. Në garë janë Valbona Kola e koalicionit të majtë dhe Basir Çupa i koalicionit të djathtë.

17- MAT
Të majtët i kanë besuar sërish Adelina Fariçit fitoren e Bashkisë së re të Matit. Katër vjet më parë ajo e theu bastionin e demokratëve duke fituar zgjedhjet. Ndërkohë që demokratët këtë vit kanë zgjedhur Nezir Rizvanin për të cilin besojnë se mund të fitojë shumicën e 29 mijë votave. Në këtë bashki janë ngritur 53 qendra votimi.

18- ELBASAN
Njësoj si Bashkia e Durrësit edhe Elbasani do të jetë i ndarë në katër nënzona kudo të bëhet numërimi i votave. 158 mijë zgjedhës janë thirrur sot nga KQZ-­ja për të hedhur votën e dytë për dy kandidatë, Qazim Sejdini i koalicionit të majtë dhe Ardjan Turku i koalicionit të djathtë. Sejdini kërkon mandatin e tretë në krye të Bashkisë, ndërsa Turku ka qenë më parë, në 2003 në këtë pozicion dhe kërkon rikthimin.

19- BELSH
Si në disa bashki të tjera edhe në Belsh do të ketë kandidat të pavarur. Kështu, përveç Asqeri Kuqjes së Partisë Demokratike dhe Arif Tafanit të koalicionit të majtë do të kandidojë edhe Besjon Tafani, i propozuar nga zgjedhësit. Kjo bashki do të ketë 24 mijë zgjedhës dhe 38 qendra votimi.

20- PEQIN
Në Peqin Partia Demokratike do të ketë përballë një kandidat të ish aleatit të saj Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Albert Kreçi i demokratëve kërkon rikonfirmimin e kësaj force politike në Peqin përballë Saimir hasallës së PDIU­së. Në zgjedhje do të marrin pjesë 28 mijë qytetarë të cilët do të votojnë në 52 qendra votimi.

21- PËRRENJAS
Në Përrenjas deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Miranda Rira la mandatin për të marrë bashkinë që kryesohet nga demokratët. Bajazit Karriqi i Partisë Demokratike kërkon mandatin e dytë në bashkinë me 24 mijë zgjedhës. Në të gjithë zonën janë ngritur 40 qendra votimi.

22- CËRRIK
Rrreth 35 mijë zgjedhës janë thirrur sot për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Cërrikut. Përballë njeri tjetrit do të jenë Qamil Boja i koalicionit të djathtë dhe Altin Toska i së majtës. Në të gjithë qytetin dhe rrethinat janë ngritur 56 qendra votimi. Katër vjet më parë kjo bashki u fitua nga koalicioni i djathtë.

23- GRAMSH
Bashkia e re e Gramshit do të ketë 27 mijë zgjedhës. Në të gjithë zonën janë ngritur 64 qendra votimi. Përballë njeri tjetrit janë Kodhel Cala i koalicioni të djathtë dhe Luljeta Dollani e koalicionit të majtë. Katër vjet më parë kjo bashki u fitua nga e majta, por ajo nuk e rikandidoi sërish Dritan Bicin.

24- LIBRAZHD
Përveç kandidatëve të PD­së dhe PS­së në Bashkinë e Librazhdit do të jetë edhe një kandidat i Aleancës Popullore. Shefki Cota, kryebashkiaku aktual i zgjedhur nga PD, do të rivalizojë Kastriot Gurrën e të majtës dhe Fadil Brazhdën e së djathtës. Në të gjithë bashkinë janë 32 mijë zgjedhës si dhe 61 qendra votimi të ngritura.

25- FIER
Bashkia e Fierit është e dyta për nga numri i zgjedhësve pas Tiranës. Në këtë njësi vendore do të votojnë 154.652 zgjedhës në 219 qendra votimi. Përballë tyre janë tre ish- deputetë. E majta ka kandiduar Armando Subashin, ish deputet i PS-­së dhe ish-anëtari KLD­-së. E djathta ka kandiduar ish-ministrin e Drejtësisë dhe ish-deputetin demokrat, Enkelejd Alibeaj. Përballë tyre është një tjetër ish-deputet i PS-­së, Albert Caci, i cili kandidon për PSD-­në e Skënder Gjinushit. Historikisht kjo bashki është fituar nga e majta, e cila e ka kthyer në bastion.

26- ROSKOVEC
Në zgjedhjet e katër viteve më parë demokratët fituan bashkinë e Roskovecit me Gëzim Caushin. Katër vjet më vonë selia blu ia beson sërish këtij kandidati bashkinë me 24 mijë zgjedhës. Nga ana tjetër maxhoranca ka vendosur të kandidojë një deputete, Majlinda Bufi, për ti marrë drejtimin e kësaj njësie vendore demokratëve. Bashkia e Roskovecit është e organizuar në 34 qendra votimi.

27- PATOS
Koalicion i majtë ia ka besuar sërish Rajmonda Balilajt Bashkinë e Patosit. Përballë saj demokratët kanë vendosur Luan Mustafajn me profesion ekonomist. Me ndryshimet e fundit të hartës territoriale kjo bashki do të ketë pak më shumë se 33 mijë zgjedhës të cilët do të votojnë në 48 qendra votimi.

28- LUSHNJË
Në Lushnjë Fatos Tushe është në garë për mandatin e tretë. Përballë tij është djali i ish deputetit demokrat në legjislaturën 2005­2009 Mevlan Xhindoli, Darieli. Në këtë bashki do të jenë afërsisht 100 mijë zgjedhës që do të votojnë në 160 qendra votimi.

29- MALLAKASTËR
Partia Demokratike ka vendosur të kandidojë kryetarin aktual të Komunës Qendër­ Mallakastër për bashkinë e re me të njëjtin emër. Përballë tij do të jetë Shyqyri Kapllani i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Në këtë njësi të re vendore të krijuar pas reformës territoriale do të kenë të drejtë vote 31 mijë zgjedhës të cilët do të votojnë në 56 qendra votimi.

30- DIVJAKË
Fredi Kokoneshi kandidon nën siglën e koalicionit të majtë në Divjakë për një mandate të dytë pas atij të fituar katër vjet më parë. Përballë tij është një ish kryetar i kësaj bashkie për dy mandate Irakli Goreja. Bashkia e re e Divjakës do të ketë 40 mijë votues në 68 qendra votimi.

31- GJIROKASTËR 
Për herë të fundit demokratët e fituan Bashkinë e Gjirokastrës në vitin 2000. Që prej asaj kohe kanë fituar vetëm kandidatët e maxhorancës. Në zgjedhjet e 21 qershorit PD-­ja ka kandiduar mjekun Igli Kokalari, ndërkohë që përballë tij do të jetë kandidatja e LSI-së, Zamira Rami. Me ndarjen e re administrative 42 mijë zgjedhës do të votojnë për Bashkinë e Gjirokastrës. Për herë të parë pjesë e kësaj bashkie janë edhe banorët e Lazaratit.

32- MEMALIAJ
Në Bashkinë e Memaliajt do të jenë në garë gjashtë kandidat, numër i njëjtë me atë të Bashkisë së Tiranës. Koalicioni i djathtë ka kandiduar Sadik Xhelilin, ndërsa ai i majtë Durim Roshin. Përveç tyre janë edhe katër kandidatë të tjerë, dy të mbështetur nga zgjedhësit dhe dy që kanë siguruar numrin e mjaftueshëm të votave. Në këtë bashki janë 16 mijë zgjedhës me të drejtë vote, të cilët do të votojnë në 34 qendra votimi.

33- LIBOHOVË
Libohova është një ndër bashkitë më të vogla të mbetura pas reformës territoriale. Ajo do të ketë 5797 zgjedhës dhe vetëm 12 qenra votimi. Përballë tyre janë kryebashkiaku aktual Altin Como i Partisë Demokratike dhe Luiza Mandi e koalicionit të majtë.

34- PËRMET
E majta ka dalë me disa kandidatë edhe në Bashkinë e Përmetit. Gilberto Jaçe kandidon nën siglën e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, ndërkohë që nga PSD-­ja kandidon Gëzim Ibrahimi dhe nga Fronti i Majtë Shpëtim Bega. Nga ana tjetër e djathta mbështet kandidatin Niko Shupuli. Kjo bashki do të ketë 16 mijë zgjedhës në 29 qendra votimi.

35- KËLCYRË
Bashkia e Këlcyrës është një prej dy bashkive ku PD-ja nuk do të ketë kandidat. Demokratët tërhoqën Gentian Muhametajn, për të cilin thanë se ka dyshime që është i inkriminuar. Në këto kushte janë të detyruar të mbështesin kandidatin e pavarur Bujar Fezgaj. Përballë tij kandidon nga Partia Socialiste kryebashkiaku aktual Klement Ndoni. Ndërkohë që në garë është edhe Hazbi Kasaj, i bërë i njohur në rrjetet sociale me një video ku mallkonte zgjedhësit.

36- DROPULL
Reforma e re territoriale i jep mundësinë Dropullit që të bëhet Bashki. Në këtë njësi të re vendore Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj, Ahilea Decka, ndërsa e majta do të mbështesë kandidatin e PBDNJ­-së, Kostaq Ziso. Përveç tyre kandidojnë edhe Hristo Duci si i pavarur dhe Vangjel Ngjelo me MEGA­-n. Bashkia e Dropullit ka rreth 20 mijë zgjedhës të cilët do të votojnë në 40 qendra votimi.

37- LEZHË
Viktor Tushaj i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkon sot mandatin e tretë për të drejtuar Lezhën. Në 2007 ai e fitoi me ndihmën e PS-së, ndërsa në 2011 me ndihmën e PD-së. Përballë tij demokratët kanë kandiduar Fran Frrokajn, kryekomunari aktual i Shën Kollit. Bashkia me ndarjen e re do të ketë 80 mijë zgjedhës dhe 121 qendra votimi.

38- KURBIN
Pas Këlcyrës Partia Demokratike humbet në tavolinë edhe Kurbinin. Fillimisht demokratët regjistruan Altin Bibën, i cili dha dorëheqjen për arsye personale. Por KQZ nuk pranoi kërkesën e PD-­së për të regjistruar Ilir Pjetrajn, vëllai i Mhill Fufit, si kandidat dhe në të njëjtën kohë nuk pranoi as dorëheqjen e Bibës. Në këto kushte PD vendosi ti bojkotojë zgjedhjet në këtë bashki. Nga ana tjetër PS-­ja kandidon Artur Bardhin, i cili në katër vitet e kaluara drejtoi Laçin. Bashkia do të ketë 54 mijë zgjedhës dhe 76 qendra votimi.

39- MIRDITË
Partia Socialiste ia ka besuar sërish ish deputetit Ndrec Dedaj Bashkinë e Mirditës. Përballë tij demokratët kanë vendosur Gjergj Prengën. Bashkia e re do të ketë 28 mijë zgjedhës dhe 63 qendra votimi.

40- VLORË
Pas dy mandateve të Shpëtim Gjikës, Partia Socialiste ka ndryshuar kandidatin e saj për Bashkinë bastion të Vlorës. Socialistët kanë zgjedhur mjekun Dritan Leli. Përballë tij do të jetë një ndërtues, Genc Deromemaj, i Partisë Demokratike. Në këtë qytet do të jetë edhe një kandidat i pavarur, Vasil Bedinaj, i cili është i dyti në fletën e votimit. Qyteti me ndarjen e re do të ketë 153 mijë votues dhe 213 qendra votimi.

41- SARANDË
Në Bashkinë e Sarandës kandidon Florjana Koka nga Partia Socialiste dhe Kreshnik Bozho nga PD. Në CV­në e Kokës thuhet se ajo ka përfunduar gazetarinë dhe aktualisht është drejtoreshë në Bashkinë e Sarandës. Ndërsa Kreshnik Bozho ka qenë gjatë qeverisjes së PD­së në disa institucione, por së fundmi ishte drejtor i Legalizimeve për Tiranën. Një ditë para zgjedhjeve Bozho ka marrë edhe mbështetjen e PBDNJ­së. Bashkia e re ku përfshihet edhe Ksamili ka 43 mijë zgjedhës dhe 50 qendra votimi.

42- DELVINË
Për të tretin proces zgjedhor Partia Demokratike ka kandiduar Dhurim Alinanin në Delvinë. Megjithëse në Jug dhe i rrethuar nga qytete të fituar nga e majta, Delvina është marrë disa herë nga demokratët. Nga ana tjetër e majta ka kandiduar Rigels Balilin. Në Delvinë janë 14 mijë qytetarë me të drejtë vote në 24 qendra votimi.

43- SELENICË
Në Bashkinë e Selenicës janë në garë 3 kandidatë. E majta ka propozuar Kasem Cenajn, e djathta Përparim Shametajn, ndërsa Alma Golemaj ka dalë e pavarur. Bashkia do të ketë 27 mijë zgjedhës dhe 47 qendra votimi.

44- KONISPOL
Bashkia e Konispolit ishte një ndër tre bashkitë që PDIU i mori PS­së. Në këtë zonë e majta do të mbështesë Shuaip Beqirin. Nga ana tjetër edhe PBDNJ, e cila u largua nga koalicioni i majtë pasi erdhi PDIU, ka nxjerrë kandidatin e saj, Anastas Guda, ndërsa e djathta ka Ismail Murtajn. Në fletën e votimit është gjithashtu edhe Fatmir Shero, por që do të jetë vetëm fiktivisht pasi pak ditë më parë ka dhënë dorëheqjen. Bashkia e re ka 10 mijë zgjedhës dhe 17 qendra votimi.

45- HIMARË
Himara ishte bashkia që ndau përfundimisht koalicionin e PS­-së me PBDNJ-në. Socialistët të mbështetur edhe nga LSI kanë vendosur të rikandidojnë kryetarin aktual Jorgo Goro, ndërsa PBDNJ ka kandiduar Alfred Belerin. E djathta ka dalë me një zonë në Himarë, Lefteri Prifti, ndërkohë qëështë regjistruar edhe një kandidat i pavarur. Bashkia ku përfshihet Himara, Hore Vranishti dhe Lukova ka 22 mijë zgjedhës dhe 38 qendra votimi.

46- SHKODËR
E sigurt është që Bashkia e Shkodrës do të drejtohet nga një zonjë në katër vitet e ardhshme. Kjo sepse dy partitë e mëdha kanë vendosur të kandidojnë dy gra në këtë qytet. Voltana Ademi la mandatin e deputetes për të kandiduar nën siglën e PD­së ndërsa Keti Bazhdari do të kandidojë nën siglën e koalicionit të majtë. Përveç tyre në garëështë edhe Vullnet Elbasani, një kandidat i mbështetur nga Partia Levizja Demokratike per Vlera Mireqenie Progres. Qyteti i ndarë në katër nënzona do të ketë 245 qendra votimi për 157 mijë zgjedhës.

47- PUKË
Partia Socialiste ka zgjedhur Gjon Gjonajn për Bashkinë e Pukës, pas dorëheqjes së Rustem Strugajt. Nga ana tjetër demokratët kanë kandiduar Rrok Dodajn. Kjo njësi vendore do të ketë 12 mijë zgjedhës dhe 25 qendra votimi.

48- MALËSI E MADHE
Koalicioni i majtë ka propozuar Tonin Marinajn për Bashkinë e Fushë-Arrëzit. Ndërsa e djathta ka kandiduar Anton Kokaj. Bashkia e re do të ketë 42 mijë zgjedhës dhe 79 qendra votimi.

49- VAU I DEJËS
Nëse Tom Doshi nuk do të ishte pjesë e fushatës, bashkia e Vaut të Dejës nuk do të merrte vëmendje mediatike. Toma ka mbështetur në disa takime kandidatin e PS­së Gjokë Lleshi teksa ka akuzuar Ilir Metën se po mbështet Zef Hilën e PD­së. Në këtë bashki janë 37 mijë zgjedhës dhe 52 qendra votimi.

50- FUSHË-ARRËZ
Partia Demokratike ia ka besuar kryekomunarit aktual të Iballës, Gëzim Vata drejtimin e Bashkisë së Fushë Arrëzit. Përballë tij socialistët do të kandidojnë Fran Tucin. Bashkia e re do të ketë 9165 zgjedhës dhe 17 qendra votimi.

51- KORÇË

Sotiraq Filo i Partisë Socialiste ka konsumuar deri tani gjysmë mandate në krye të bashkisë së Korçës. Kjo sepse ai e mori Bashkinë në vitin 2013 pas dorëheqjes së Niko Peleshit. Përballë tij demokratët kanë vendosur të kandidojnë rektorin e Universitetit “Fan S. Noli”, Gjergji Mero. Bashkia e re e Korçës ka tani 106 mijë zgjedhës të cilët do të votojnë në 164 qendra votimi. Për herë të fundit Partia Demokratike e ka fituar Korçën në vitin 2003.

52- PUSTEC

Me hartën e re territoriale është krijuar edhe Bashkia e Pustecit, e cila përbëhet nga minoriteti maqedonas. Në këtë njësi vendore kandidojnë Miallaq Apostollovski i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Edmond Themelko, kryetari i partisë maqedonase i mbështetur nga koalicioni i majtë. Pusteci do të ketë 4 mijë zgjedhës dhe 8 qendra votimi.

53- MALIQ

Nëse kandidati i Partisë Socialiste do të fitojë zgjedhjet e 21 qershorit në Bashkinë e Maliqit ai do të jetë një ndër kryetarët më jetëgjatë në pushtetin vendor. Gëzim Topçiu ka fituar katër mandate deri tani dhe është në kërkim të të pestit. Përballë tij demokratët kanë vendosur Xhevdet Belishtën. Kjo bashki do të ketë 48 mijë zgjedhës dhe 82 qendra votimi.

54- KOLONJË

Ashtu si edhe në disa bashki të tjera, e majta është e përçarë në Kolonjë. Përveç kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, Arben Malo kandidon edhe Paqesor Cane i Partisë SocialDemokrate. Ndërsa e djathta ka zgjedhur të kandidojë Viktor Duron. Bashkia e re e Kolonjës ka afërsisht 16 mijë zgjedhës dhe 36 qendra votimi.

55- DEVOLL

Qyteti pjesë e qarkut të Korçës në zgjedhjet e fundit është fituar nga Partia Demokratike. Megjithatë në 21 qershor demokratët kanë vendosur të ndryshojnë kandidat dhe nën siglën e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet kandidon Bledjon Nallbati. Ndërsa e majta ka vendosur të kandidojë Kosta Qajën. Bashkia ka 33 mijë zgjedhës të cilët do të votojnë në 53 qendra votimi.

56- POGRADEC

Pogradeci ishte një ndër 15 bashkitë që Lëvizja Socialiste për Integrim i mori Partisë Socialiste. Në këtë bashki LSI vendosi të kandidojë Diana Milen, ndërsa nga PD­ja kandidon një ish anëtar të këshillit bashkiak të Pogradecit të zgjedhur nga PSD, Eduard Kapri. Kjo bashki do të ketë 69 mijë zgjedhës dhe 117 qendra votimi.

57- KUKËS

Hasan Halili ishte një nga personazhet e kësaj fushate elektorale. Ai u përmend disa herë nga Ben Blushi për të treguar se të majtët janë të detyruar të votojnë Hasanin a thua se nuk ka individë të tjerë brenda saj që mund ta marrin drejtimin e Bashkisë së Kukësit. Përballë tij demokratët kanë propozuar Bashkim Shehun, një ish zyrtar i rëndësishëm i Ministrisë së Brendshme gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Flamur Noka. Kjo bashki do të ketë 43 mijë zgjedhës dhe 88 qendra votimi.

58- HAS

Jo vetëm në Jug, por edhe në Veri Partia Social Demokrate ka nxjerrë kandidatët e saj. Në Bashkinë e Hasit PSD ka kandiduar Gëzim Ukperajn përballë Elez Maçit të PD­-së dhe Adem Lalës së PS­së. Kjo njësi e re vendore e krijuar pas reformës territoriale do të ketë 15 mijë zgjedhës dhe 32 qendra votimi.

59- TROPOJË

Nëse ka një bashki ku PD­ja është më e përçarë ajo është Tropoja. Në këtë zonë kandidojnë 3 kandidatë të djathtë ku vetëm njëri është i Partisë Demokratike. Besnik Dushaj la mandatin e deputetit të PD­së për tu rikthyer në vendlindje. Përballë tij janë kryetari aktual i Bashkisë së Tropojës, Agron Demushi, i cili ndryshe nga katër vjet më parë kur kandidonte nën siglën e PD-­së, tani ka dalë i pavarur. Ndërsa e majta ka kandiduar Rexhe Byberin, që katër vjet më parë fitoi komunën Margegaj me votat e PD­së. Bashkia do të ketë 21 mijë zgjedhës dhe 50 qendra votimi.

60- TEPELENË

Për këtë bashki janë në garë tre kandidatë, dy të subjekteve të mëdha politike dhe një i pavarur, por në fletë janë vetëm dy prej emrave të tyre. KZAZ ka pezulluar procesin e votimit, deri në një vendim të dytë. Në fushatën elektorale vëmendja shkoi në Tepelenë kur kandidati i së majtës Tërmet Peçi në vend që të fliste për një fitore spektakolare, tha se ajo do të ishte publicitare. Përballë Peçit në këtë bashki do të kandidojë Veip Cela i PD­së, ndërkohë që në garë është edhe një tjetër i majtë Dritan Memushi. Kjo bashki do të ketë 12 mijë zgjedhës dhe 29 qendra votimi.

 

61- FINIQ

Ish zv.ministri i Jashtëm Jani Babi do të kandidojë nga PBDNJ për Bashkinë e Finiqit. Dy ditë më pare nga gara eshte tërhequr kandidati i PD­se, Lefter Karajani dhe selia blu ka vendosur te mbështesë PBDNJ­ne ne kete zone. Ndersa Leonidha Hristodo te kandidoje me MEGA-­n dhe do te kete mbështetjen e PS­se. Kjo bashki do të jetë me 29 mijë zgjedhës dhe 54 qendra votimi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: