Gjumi është i domosdoshëm për trupin dhe mendjen, por po kaq i rëndësishëm është edhe pozicioni në të cilin flemë. Këtë theksojnë ekspertët amerikanë, të cilët kanë analizuar pozicionet kryesore të gjumit dhe kanë dalë në përfundimin se ai më i miri është pozicioni shtrirë në shpinë.

Sipas ekspertëve të Convenant Health System, fjetja në shpinë ndihmon në parandalimin e dhimbjeve të shpinës e qafës, pakëson refluksin e acideve gastrike dhe favorizon mosshfaqjen e rrudhave. Shtrirja në shpinë redukton në maksimum kontraktimet dhe rezulton një pozicion i përshtatshëm për shtyllën kurrizore. Ana negative e këtij pozicioni? Favorizon gërhitjen, sidomos tek ata që janë të predispozuar.

Një tjetër pozicion i mirë për trupin është shtrirja në krah. Edhe ky pozicion parandalon dhimbjet e shpinës dhe qafës. Ai u rekomandohet sidomos grave shtatzëna, pasi favorizon lëvizjen e gjakut në fetus. Ekspertët nuk ua këshillojnë këtë pozicion atyre që duan të parandalojnë rrudhat.

Pozicioni më i keq? Ai shtrirë në bark, pasi shtyp stomakun, lehtëson refluksin e acideve gastrike dhe favorizon tendencën për të gërhitur. Gjithashtu, në këtë pozicion shtylla kurrizore nuk ka mundësinë të çlodhet dhe presioni mbi muskujt dhe kyçet është kaq i fortë saqë mund të shkaktojë edhe inflamacionin e nervave apo ndjesi shpimi në gjymtyrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb