LONDER- Megjithëse mund të mendoni se kujdeseni maksimalisht për lëkurën tuaj në diell, ka disa gabime që i bëni pa dashur. Pavarësisht nivelit të SPF që mund të ndodhet te një krem, National Skin Cancer Foundation ka zbuluar se 90% e rasteve të kancerit të lëkurës janë shkaktuar nga ekspozimi në diell dhe gabimet që bëhen lidhur me mbrojtjen ndaj tij.

Ju vendosni krem mbrojtës, por…- Një studim i botuar në British Journal of Dermatology ka zbuluar një boshllëk të madh mes mbrojtjes teorike të kremit kundër diellit dhe mbrojtjes reale të tij. Kjo pasi përdoruesit e kremit kundër diellit shpesh përdorin vetëm ¼ e sasisë së rekomanduar. Tom Rohrer, dermatolog amerikan pranë Chestnut Hill, Massachusetts këshillon se në çdo përdorim duhet përdorur krem kundër diellit në masë sa një lugë kafeje.

Ju vendosni krem mbrojtës vetëm ndonjëherë- Shumë njerëz e bëjnë një gabim të tillë shpesh. Por për të pasur efektet e dëshiruara kremi duhet përdorur rregullisht. Disa gjëra që duhet të dini në këtë drejtim është se kremi duhet përdorur 30 minuta para se të dilni, në mënyrë që të përthithet plotësisht nga lëkura. Një veprim të tillë përsëriteni çdo dy orë ose menjëherë pasi keni notuar apo larë fytyrën.

Nuk përdorni kremin e duhur- Skin Cancer Foundation këshillon përdorimin e një kremi mbrojtës ndaj diellit, me faktor mbrojtës (SPF) mbi 15, çdo ditë.

“Çdo krem i përdorur me faktor mbrojtës më të ulët, lejon që dëmi të ndodhë”, thotë Mark Lebwohl, dermatolog pranë Mount Sinai Medical Center në New York.

Veshja e gabuar- Një veshje e rregullt ka një faktor mbrojtës me SPF 5 dhe kjo bën që një pjesë e rrezeve të diellit të filtrohen përmes. Në rast se zgjidhni një veshje pambuku dhe mbuloni sa më shumë pjesë të trupit faktori mbrojtës bëhet më i madh.

Ju harroni mbrojtjen mbështetëse- Ju mund të keni lyer fytyrën me krem por harroni sytë, buzët dhe kokën. Rrezet UVA dhe UVB janë të padukshme për syrin e lirë, por mund të shkaktojnë acarime madje dhe kancerin e lëkurës. Këshillohet të përdorni rreze dielli që mbrojnë nga rrezet UV, në mënyrë që të mbroni sytë. Për buzët këshillohet të vendoset një krem mbrojtës si balsam me SPF 30 e sipër. Ndërsa për kokën, ideale është mbajtja e një kapele pambuku, por jo rrjetë, në mënyrë që të mos depërtojnë rrezet.

Shmangni diellin plotësisht- Kur është fjala për parandalim, kjo nuk do të thotë që duhet të ktheheni në paranojak. Kjo pasi edhe rrezet e diellit luajnë rol për mposhtjen e melanomave. Një studim i vitit 2005 i Memorial Sloan-Kettering Cancer Center ka zbuluar se pacientët e prekur nga kanceri i lëkurës që ekspozoheshin rregullisht në diell, por pa abuzuar me rrezet, kishin më shumë shanse për të mbijetuar. Kjo pasi vitamina D, e cila prodhohet nga dielli mund të ndihmojë për shpërbërjen e kancerit.

Pini kafeinë të gabuar- Nuk ka asgjë të gabuar në pirjen e një filxhani çaji, pasi ai ndihmon për të luftuar kancerin. Çaji jeshil është i mbushur me antioksidantë të cilat luftojnë qelizat kancerogjene, ndaj duhet konsumuar rregullisht. Marrja e kafeinës së gabuar te pijet energjetike, kafeina etj., nuk rekomandohen për të mposhtur dëmet e rrezeve të diellit.

Kontrolloni vetëm për njollat e shtuara kafe- Ju keni nevojë për të kontrolluar rregullisht lëkurën tuaj, veçanërisht për njolla kafe të diellit dhe për të parë nëse ka ndonjë gjë shqetësuese. Por ajo që duhet të bëni më tepër është të kontrolloni edhe nishanet, madhësitë, format, ngjyrat, sepse jo vetëm njollat kafe janë shqetësuese, por edhe acarime të tjera që shkaktohen prej diellit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: