Janë prezantuar 15 konkurentët e përzgjedhur, nga 270 talente të rinj lirikë nga e gjithë bota, që do të marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Ata janë nga Italia, Spanja, Rusia, Ukraina, Turqia, Kina, Korea, Franca, Greqia, dhe padyshim Shqipëria.

Xhieldo Hyseni, Renisa Lacka dhe Nina Muho janë tre konkurentët që do të përfaqësojnë vendin tonë me ariet më të suksesshme në portofolin e tyre artistik, por edhe me këngë shqiptare si “Për ty ardhe” apo “Valsi i lumturisë”.

“Ishte dëshira e jashtëzakonshme për tu përfaqësuar në botë me traditën tonë të madhe operistike, me traditën e vokalit operistik, i cili kishte filluar që në vitin ’53 në Shqipëri, me zëra brilantë të artistëve që bënë historinë e operas sonë, por edhe të artistëve të rinj që kishin hyrë në skenën operistike shqiptare. Ishte pikërisht kjo arsyeja që më nxiti, që së bashku me shumë artistë të tjerë, të cilët përsëri sot i kam në krah, Pali Kuken dhe Robert Radojan, ne të startonim një kompeticion për t’i prezantuar publikut shqiptar artistët e së ardhmes”, shprehet themeluesja e Festivalit Operistik “Marie Kraja”, Zana Çela.

20 vjet pas themelimit të eventit më të rëndësishëm operistik, Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja” vjen në datat 19 dhe 2 prill, në Katedralen Orthodhokse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb