Superstari i Juventusit, Cristiano Ronaldo, e kishte bërë të qartë se ishte i gatshëm të bashkohej me kampionët e Seria A që janarin e kaluar, njoftoi agjenti Jorge Mendes. 33-vjeçari u largua nga Real Madridi për te bardhezinjtë falë një marrëveshjeje mahnitëse prej 112 milionë eurosh, vetëm pasi i ndihmoi gjigandët spanjollë në triumfin e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është përshtatur në mënyrë të përsosur te Juve, duke shënuar 11 gola në Serie A (12 gola në të gjitha garat), teksa Mendes pretendoi se bisedimet për ta dërguar Ronaldon në Torino kishin nisur të zhvilloheshin që në fillim të vitit.

Në të vërtetë, Mendes thotë se ai foli me hierarkinë drejtuese të Juventusit, përfshirë drejtorin sportiv, Fabio Paratici, dhe presidentin Andrea Agnelli, para se bardhezinjtë të përballeshin me Real Madridin në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, sezonin e kaluar.

“Ai është lojtari më i mirë në historinë e futbollit, kështu që shumë ekipe e donin, – tha Mendes përmes “Tuttosport”. – Juve meriton një bravo të madhe, sepse bëri që kjo marrëveshje të ndodhë. Cristiano më tha që në janar, se dëshironte të bashkohej me bardhezinjtë.

Në atë moment nuk mendova se një marrëveshje do të ishte e mundur, por kam gabuar në parashikimin tim. U takova me Paratici dhe Pavel Nedved përpara ndeshjes Juve-Real në Torino (në prill), pastaj u takova me presidentin Agnelli. Kështu filluan bisedimet dhe hap pas hapi besova se marrëveshja ishte e mundur”.

Mendes shtoi se negociatat mbi marrëveshjen zgjatën “dy ose tre muaj”. Ronaldo shënoi golin e fitores 1-0 në derbin e Torinos, javën e kaluar, por sulmuesi portugez do të pushojë kundër Romës, Atalantas, ose Sampdorias, para fundit të vitit. Në të kundërt, Real Madridi e ka ndier mungesën e Ronaldos dhe po drejtohet nga trajneri i dytë në këtë sezon, pas shkarkimit të Julen Lopetegui, në tetor.

Santiago Solari është tani në krye të “Los Blancos”, ndërsa këta të fundit aktualisht janë të katërtit në klasifikimin e La Liga-s, pesë pikë prapa liderëve të Barcelonës. Ata do të përballen me Lyonin në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, në shkurtin e ardhshëm./telesport

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: