*Skema si funksiononte organizata kriminale, si ‘faleshin’ blerësit e heroinës dhe si shpërndahej droga

Pas operacionit të madh të koduar “Enigma” që u zhvillua në veri të Italisë dhe Shqipërisë duke çuar në pranga 16 persona si pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës, mediat italiane kanë zbuluar detaje të shumta nga drejtuesit dhe aktiviteti i saj.

Prania e organizatave kriminale shqiptare në territorin italian dhe sidomos në verilindje të vendit është një realitet i njohur për autoritetet italiane. Organizatat kriminale shqiptare, në veçanti, po marrin gjithnjë e më shumë peshë, sidomos në trafikimin e drogës, falë fuqisë, ndjenjës së nderit dhe vendosmërisë që i karakterizon këto shoqata, të cilat në fakt kanë fituar një rol kyç në tregun dhe shpërndarjen e heroinës me shumicë, duke rrëzuar organizatat turke dhe ato të kombësive të tjera dhe duke u bërë de facto bashkëpunëtorë të privilegjuar për organizatat e tjera kriminale bazë.

Historia e kësaj organizate është historia e dy vëllezërve, Altin dhe Emiljan Hajri të cilët nga realiteti i vështirë i vendit të tyre të origjinës, kanë bërë rrugën e tyre në mjediset e malavitës së shtetit fqinj, Italisë, falë një përzierjeje të dhuntive të dukshme kriminale dhe njerëzore, mes të cilave karizmë, shkathtësi dhe vendosmëri (shkruajnë mediat italiane). Këto cilësi i bëjnë ato të shfaqen si karaktere të profilit absolut, në mesin e shumë trafikantëve të heroinës që u drejtohen dy vëllezërve për t’u furnizuar.

Familja e vëllezërve Hajri është me origjinë nga fshati Pjesëz i Shijakut, dhe banon në një lagje, emri i të cilës është një simbol i nisjes së parabolës së tyre: “Lagjja e Çobanëve”.

I pari që mbërriti në Padova, në fillim të viteve 2000, ishte Altini. Pak më vonë e ndjek dhe Emiljani. Në Padova, dy vëllezërit lidhen me qarkun e trafikantëve. Por të dy demonstrojnë cilësi shumë herë më të larta se të bashkëkombësve dhe dallojnë nga të tjerët që me kalimin e viteve identifikohen dhe arrestohen nga autoritetet (shkruajnë mediat italiane).

Ndërsa vëllezërit Hajri, zhduken dhe shfaqen në mënyrë sporadike në Itali. Gjatë kësaj kohe ata ndërtojnë me aftësi dhe durim një organizatë komplekse.

E projektojnë mundësisht edhe duke studiuar dhe analizuar të dhënat që kanë investuar gjatë viteve organizatat e tjera ‘konkurrente’ dhe e strukturojnë në qeliza të ndryshme, të gjitha të pavarura nga njëra-tjetra, në të cilat anëtarët e rangut më të ulët nuk kanë dijeni të skemës së përgjithshme.

Vetëm disa bashkëpunëtorë të nivelit të lartë, të cilët veprojnë si ndërlidhës me kapot, i njohin drejtuesit dhe strukturën. Me pak fjalë, organizata ishte projektuar me saktësi të tmerrshme, pikërisht për t’i shpëtuar forcave të policisë dhe për t’u kontrolluar në distancë dhe në mënyrë të padukshme për syrin e gjyqësorit dhe policisë.

Nëse një qelizë komprometohet në operacione policie, të tjerat mbeten të sigurta. Me këtë sistem, dy vëllezërit trafikojnë drogë me aftësi dhe vendosmëri të madhe dhe pa u identifikuar nga autoritetet arrijnë të grumbullojë pasuri të mëdha me blerjen e pronave të ndryshme në vendin e origjinës, duke përfshirë edhe një hotel luksoz, një sallë banketi, një servis automjetesh për makina luksoze.

Dhe kështu vëllezërit me origjinë nga “Lagjja e barinjve”, që mbërritën në Itali si klandestinë, ngrenë në këmbë në pak vite një organizatë kriminale efikase. Kur ndonjë blerës arrestohet, falë sistemit të ngritur, organizata nuk identifikohej kurrë, të paktën deri në tetor të vitit 2010 kur, si pjesë e hetimeve të koordinuara nga Prokuroria e Venecias, sekuestrohet një dërgesë e parë me 20 kilogramë heroinë në Brescia (vijojnë mediat italiane).

Hetimet çuan në sekuestrimin edhe të 10 kg të tjerë heroine në Padova dhe në muajin gusht të vitit 2011, në një laborator në Roverchiara (VR), u zbuluan 300 kilogramë heroinë e pastër.

Ndërhyrja e forcave të policisë, i ndërpret kur ata kanë përgatitur tashmë 130 kg drogë.

Gati kanë qenë edhe 450 kg të tjera të substancës së përgatitur për ngarkesat e ardhshme. Për të çrrënjosur organizatën, hetimet u drejtuan drejt identifikimit të kapove dhe sulmit mbi asetet e akumuluara.

Për këtë arsye, Prokuroria e Venecias kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare në hetim, mbështetja e të cilave do të rezultonte e çmuar. Në krye të strukturës u identifikua i riu Altin Hajri, i datëlindjes ‘84, i pari që kishte shkuar në Itali. Altini shfaqet karizmatik dhe në të njëjtën kohë i ‘padukshëm’ për hetimet. Drejton organizatën nga Shqipëria dhe nuk ka nevojë kurrë të shkojë në Itali për të menaxhuar çështjet kriminale.

Nuk i dëgjohet kurrë zëri në telefon, ka marrëdhënie me blerësit vetëm me anë të zëvendësit e tij, ose i përmbush ato personalisht, nëse shkojnë në Shqipëri.

Si ‘kapo’ i frikësohen, respektohet dhe vlerësohet. Falë edhe pasurisë së vënë mund t’ia lejojë vetes të jetë bujar dhe i mirëkuptueshëm me bashkëpunëtorët dhe blerësit.

Ua jep blerësve drogën duke e marrë pagesën me këste dhe është i duruar në mbledhjen e parave deri në shitjen e mallit.

Kur një trafikant është në vështirësi, e takon dhe praktikon reduktim të borxhit. Në këtë mënyrë ai siguron besnikërinë dhe mirënjohjen dhe në Padova, Verona, Mestre, të gjitha “emrat e mëdhenj” të mjedisit flasin mirë për të.

Në tetor të vitit 2012 hetuesit zbulojnë një nga vendet ku ishin fshehur 15 kilogramë heroinë dhe e heqin drogën për të parë reagimet e organizatës, për të kuptuar dinamikën e saj dhe për të rindërtuar hierarkinë.

Droga i ishte besuar Armando Sherkos, i cili, kur vuri re zhdukjen e heroinës, duke qenë përgjegjës për ruajtjen e saj, nxiton dëshpërimisht për të lypur mirëkuptimin e kapove dhe i drejtohet Altinit për të zgjidhur çështjen

Ashtu siç shpresohej, humbja e drogës shkakton reagime të ndryshme dhe provokon acarim dhe shkëmbim akuzash mes anëtarëve të rangut të ulët të organizatës dhe në këtë mënyrë hetuesit arrijnë të kuptojnë në mënyrë të qartë hierarkinë e organizimit, mbi të gjitha identitetin e dy kapove, Altin dhe Emiljan, të cilëve iu drejtohet Sherko nëpërmjet kushëririt Fortuz Hajri, që hiqet si “ambasador” i organizatës në Padova.

Emiljani është vëllai i dytë dhe kreu i organizatës. I datëlindjes ‘88, është edhe ai shumë i zgjuar, i aftë dhe i respektuar dhe ka punuar për vite me Altinin. Trafiku i drogës prodhon fitime me miliona euro për çdo ngarkesë, të gjitha pagesat bëhen me para në dorë, në mënyrë që të mos gjurmohen, dhe shumat e parave dërgohen, pak nga pak në Shqipëri përmes korrierëve.

Në Itali trafikantët mbajnë një profil të ulët, ndërsa në Shqipëri kanë të gjithë pasurinë për të demonstruar, siç kërkohet në këto organizata, pushtetin në dispozicion të tyre.

Për të identifikuar dy liderët e padukshëm të organizatës në Shqipëri dhe për të identifikuar të gjitha qelizat e organizatës janë dashur plot 5 vite hetime, përgjime, arrestime.

Në hetime marrin pjesë Drejtoria Qendrore e Shërbimeve të anti-drogës; Interpol, Shërbimi Qendror i Hetimit të Krimit të Organizuar, Reparti i dytë i Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza. Veçanërisht i vlefshëm ka qenë bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare, i kërkuar që nga viti 2011, të cilat zhvillojnë hetimet në bashkëpunim dhe njëkohësisht me autoritetet italiane.

Është pikërisht kontributi fondamental i autoriteteve shqiptare, me koordinimin e DCSA dhe Shërbimit Qendror për Bashkëpunimin e Policisë që lejoi “mbylljen” e rrethit për kapot e organizatës, dhe sekuestrimin e pasurive të tyre të paluajtshme në Shqipëri si dhe kapjen e anëtarëve të organizatës që veprojnë këtu.

Hetimet përfundojnë me sekuestrimin e rreth 200 kg heroinë dhe 325 kg marijuanë, arrestimin e 16 personave në aktin, dhe 21 urdhër-arreste dhe çmontimin e dy laboratorëve për prerjen dhe përpunimin e heroinës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb