Nëse te ne është produkt i dështuar, por tejet deficitar, në shumë vende të tjera të përparuara demokratike kompromisi politik është realitet dinamik. Gjithsesi, nëse ka një vend, nga i cili praktikisht mund të mësohet më shumë, ai është Belgjika. Siç përmendet në shumë shkrime, dokumentarë dhe botime në atë vend dhe gjetkë, nëse demokracia belge mund të përkufizohet si bashkëjetesë ndërmjet dallimeve të ndryshme, politika dhe shoqëria belge e ka ngritur kompromisin në rangun e arteve të bukura. Ashtu siç birrat, çokollatat, midhjet, fritet dhe vaferat në tregjet botërore, edhe kompromisi në politikën belgo-evropiane është kryemarkë dhe specialitet demokratik. Por kompromisi si rrugë e tretë, si një përzierje e natyrshme idesh dhe alternativash që mundësisht t’u pëlqejnë të gjithëve karakterizon të gjithë shoqërinë belge; ashtu si shprehet profesoresha e njohur Stephanie Demoulin “kompromisi à la belge” është pjesë e mobilieve shtëpiake”

Kjo mbasi Belgjika është vendi me ndarjet dhe kontrastet më të theksuara të paktën në Europë; kontraste midis veriut industrial e të zhvilluar dhe jugut bujqësor më të prapambetur; veriut me prejardhje holandeze dhe jugut me rrënjë franceze; veriut protestant, jugut katolik; veriu ku flitet flamishtja dhe jugu me frëngjisht; veriu tradicionalisht nën drejtimin e qendrës së djathtë dhe nacionalist, jugu nën të majtën social-demokrate dhe ekstremit të majtë; vendi ku pushteti qendror dhe ai vendor kanë ngjyrime partiake diametralisht të kundërta. Dallimet vijojnë në lindje ku ndodhet komuniteti gjermano-folës me vetëm 70 mijë banorë, por me parlamentin dhe qeverinë e vet; këtë peizazh plot kontraste të mprehta e ndan Brukseli dy gjuhësh, kryeqyteti i Belgjikës dhe Europës së Bashkuar, selia e BE-së, NATO-s dhe institucioneve të tjera kryesore ndërkombëtare, sërish me qeverinë dhe parlamentin e vet. Gjithashtu, Belgjika është i vetmi vend ku dhe partitë janë rajonale dhe gjuhësore, pa një forcë politike federale, çka i ndërlikon dhe më shumë gjërat.

Për rrjedhojë, Belgjika ka katër shtete, tre komunitete gjuhësore dhe shtatë parlamente; aty 75 për qind e popullsisë vijnë nga jashtë ose janë me origjinë të huaj nga 184 nacionalitete, rekord më vete. Ndaj, siç thuhet rëndom, të vetmit faktorë bashkues janë Mbretëria dhe futbolli me “ djajtë e kuq”

Me gjithë këtë specifikë unikale, Belgjika ia ka dalë mbanë të realizojë një bashkëjetesë dhe multikulturë efektive, mbi të gjitha falë kompromisit të famshëm “ à la belge”, sipas të cilit, të gjitha palët e përfshira mendojnë se janë përfitues, në atë që njihet si “ win – win situation”. Edhe pse, në fakt, ky perceptim ndodh të jetë larg realitetit, palët e pranojnë atë me kënaqësi dhe vazhdojnë punën përpara. Më vonë, forcat politike e shohin dhe kuptojnë se, në fakt, nuk kanë qenë ata fituesit e vërtetë të këtij kompromisi; por kjo nuk ka më rëndësi sepse “rreziku ka kaluar” dhe ato ndërkohë bëjnë korrigjimet e rastit.

Ja pse kompromisi “à la belge” ka qenë vazhdimisht karakteristikë dalluese e politikës dhe diplomacisë belge; oksigjen dhe “mënyrë jetese” ose si buka për shqiptarët. Le ta ilustrojmë këtë vetëm me disa raste nga më të spikaturat.

Në vitin 1944, shtetarët belgë bënë kompromisin e madh me homologët e tyre holandezë dhe luksemburgas pa pritur mbarimin e Luftës së II Botërore gjatë ekzilit në Londër; aty ata vendosën krijimin e BENELUX të famshëm, që disa vite më vonë u bë bërthama e BE-së së sotme, paradhoma dhe “ inkubatori” i saj për reformat evropiane, ku Belgjika ishte ndër 6 themelueset e para.

Brenda vendit, ky kompromis shpëtimtar mes politikës, mbretit dhe popullit u realizua në fillim të viteve 50 pas Referendumit lidhur me rikthimin në fron të Mbretit Leeopold III lidhur me akuzat ndaj tij për bashkëpunim me nazizmin në ekzil. Pas gati 6 vite debatesh të ashpra, ndonëse Referendumi në vitin 1951 përfundoi me 54 për qind të votave në favor të rikthimit të Mbretit, ai vendim kushtetues nuk u zbatua, sepse rrezikohej që vendi të shkonte në përplasje dhe luftë civile midis tre rajoneve me pasoja të pariparueshme. Politika belge iu referua sërish kompromisit, sipas “frymës” së Kushtetutës, pa u bërë skllave e verbër e “germave” apo dhe ndonjë neni të veçantë kundër së tërës. Falë këtij kompromisi historik midis popullit, liderëve politikë dhe mbretit, ky i fundit abdikoi dhe u zëvendësua nga djali i tij, Baudouin, i cili mbretëroi me shumë sukses 41 vite rresht deri sa ndërroi jetë më 1993. Ndërsa Leopold III u rikthye në Belgjikë veçse pa fron, ku jetoi deri në fund të jetës.

Askush nuk e di se ç’mund të ndodhte sikur belgët në vend të atij kompromisi të madh që, në fakt, respektoi dhe Kushtetutën të “këmbëngulnin si mushka” për respektimin e “germave” të një neni të vetëm, por kundër frymës së saj!

Fryma e kompromisit belg brenda vendit u përsërit dukshëm në vitet 2010-2011 pas krizës institucionale rekord që zgjati 541 ditë. Gjatë asaj periudhe isha diplomat në Bruksel dhe me kolegë të tjerë sidomos ballkanikë habiteshim tek shihnim se me gjithë debatet dhe bllokimet e përkohshme, gjërat ecnin. Mbreti belg kishte gjetur formulën dhe procedurën më të origjinale dhe premtuese për realizimin e kompromisit të domosdoshëm pikërisht atëherë kur mendohej se ai “kishte vdekur”; duke emëruar ndërmjetësues të njohur nga të gjitha forcat politike dhe rajonet, të shquar dhe si artizanë të konsensusit e të prirur drejt kompromisit. Fillimisht nëpërmjet “informatorëve” që “tatonin pulsin politik” të palëve, duke gjetur pikat e përbashkëta dhe mënyrat e akomodimit të ndarjeve e kundërshtive; pastaj me radhë sipas rastit relatorët, eksploratorët, facilitatorët, preformatorët dhe më në fund formatorët që përfundonin këtë mision me krijimin e një koalicioni qeveritar federal me shumë parti nga të katër rajonet dhe të tre komunitetet gjuhësore me programe të bashkërenduara. Kjo mënyrë pune shmang debatet, zhurmat dhe polemikat shterpë ndërmjet partive dhe “pazaret” e ndryshme politike.

Pas suksesit të kësaj mekanike kompromisi dhe në vitin 2014, ajo po zbatohet tani, pas zgjedhjeve të 25 majit 2019; kur “rebusi” politik belg është shumë më i ndërlikuar se më parë. Sepse asnjë parti nuk ka fituar shumicën; ndërkohë, për herë të parë, partia e ekstremit të djathë në Flandër “Vlaams Belang” ka fituar 18 për qind, kurse N-VA me tipare nacionaliste ka dalë partia më e madhe në vend. Sfidë tejet e vështirë, por siç besojnë belgët, sado i vështirë dhe i gjatë, kompromisi do të vijë. Siç thotë Johan Vande Lanotte, ndër politikanët më të shquar belgë të 30 viteve të fundit “demokracia nuk do të thotë të jesh dakord me kundërshtarin, por të pranosh të bisedosh me të në kërkim të kompromisit pa lënë njeri jashtë tij”.

Mrekullia tjetër e kompromisit belg gjatë krizave të periudhës 2007 – 2010 e më vonë, kishte të bënte me kryesimin e saj të vlerësuar të BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës. Ky sukses shpjegohej me faktin që pavarësisht nga grindjet politike brenda, puna ndryshonte jashtë vendit; aty të gjitha palët kishin bërë kompromisin e madh që të flitnin me një gjuhë dhe të mos e transferonin krizën në Europë. Çfarë kontrasti me vendin tonë, ku pikërisht në momentet kur vendoset fati i negociatave, të dyja palët nxjerrin jo një, por plot “ yçkëla” politike dhe ligjore, “njeri i bie gozhdës e tjetri patkoit”, duke ua vështirësuar punën dhe vetë BE-së, a thua se nuk kemi probleme të tjera.

Pikërisht falë këtij reputacioni dhe mjeshtërie në kompromise u bë dhe zgjedhja së fundi e Kryeministrit belg Charles Michel me konsensus të plotë e pa asnjë rezervë si President i Këshillit Europian; për më tepër ky është rast i dytë brenda 10 viteve të fundit. Në periudhën 2009 – 2014 ishte paraardhësi i tij Herman Von Rompuy me vlerësimet më të mira. Ndonëse në moshë të re, vetëm 43 vjeç, Michel ka një përvojë tejet të pasur 25 vjeçare me liberalët belgë, duke manovruar dhe katër vitet e fundit në situata dhe rrethana tejet të vështira politike, duke drejtuar një qeveri ku ai nuk kishte shumicën. Ashtu si dhe politikanë të tjerë të shquar belgë përpara tij, Michel njihet si ekuilibrist i shkëlqyer, moderator, i qetë, me një gjuhë dhe sjellje politike model; pa zhurmë e bujë, pa etiketime, fyerje dhe ofendime ndaj kundërshtarëve politikë; të gjitha këto janë ingredientë të domosdoshëm të një shtetari që di të “qëndisë” kompromise të dobishme dhe parimore demokratike

Së fundi, thelbi i kompromist “à la belge” qëndron te aftësia e politikave dhe liderëve belgë për të hyrë në një dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv me tolerancë dhe lëshime reciproke.
Këtë domosdoshmëri që vlen shumë për politikën tone e nënvizoi në mesazhin e vet në prag të Festës Kombëtare të 21 Korrikut Mbreti i Belgjikës Philippe kur tha se: “dialog i vërtetë do të thotë të kuptosh bindjet dhe zgjedhjet e të tjerëve, edhe atëherë kur nuk je dakord me to. Ta bësh palën tjetër ta ndjejë se ju keni nevojë për të, pa përjashtim. Do të thotë të shmangësh gënjeshtrat dhe gjuhën e drunjtë ofenduese.“

Kompromisi belg përbën një shembull/model tejet të dobishëm veçanërisht për politikën shqiptare në të dyja anët e kufirit, duke shmangur të kundërtën e tij, inatin “alla shqiptar” që shpesh ka çuar në grindje politike dhe qorrsokak. Dallimet dhe specifikat e rajonit dhe vendit tonë janë argumente më shumë në favor të « kopjimit dhe imitimit » të frymës së dialogut dhe kompromisit belg; veçse me bashkëpunim e jo konfrontim, përfshirje, jo përjashtim, afirmim jo imponim, kompromis, jo kompromentim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb