NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- 10% e investimeve publike për vitin e ardhshëm, qeveria i ka parashikuar për administratën, në blerje pajisjesh, mobilime zyrash si dhe kompjuterë. Në listën e detajuar të shpenzimeve rezulton se nga 600 milionë dollarë që jep buxheti i shtetit për investime publike çdo institucioni, rreth 60 milionë dollarë do të shkojnë për të lehtësuar punën e nëpunësve dhe ministrive.

Këto shpenzime, të cilat llogariten si shpenzime kapitale, në fakt nuk do të shkojnë për të përmirësuar rrugët, ndërtuar shkolla apo spitale, shërbime për të cilat qytetarët kanë vërtetë nevojë. Në listën e gjatë të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, ato që vihen re më shpesh janë shumat e përcaktuara për blerje zyrash, rikonstruksion godinash e ndërtesash si dhe blerje kompjuterësh. Fondet më të mëdha janë parashikuar për rikonstruksione godinash, ku shumë ministri si ajo e Arsimit, Planifikimit Urban dhe me dhjetëra drejtori do të ndërtojnë dhe rimodelojnë ambientet ku rrinë.

Këto lloj shpenzimesh nuk kanë përjashtuar asnjë institucion publik. Shuma më e madhe prej 500 mijë dollarësh do të përdoret nga Kryeministria vetëm për sistemin e sigurisë ndërsa qindra dollarë të tjerë jepen për rregullimin e ndërtesave. Vila e shërbimeve qeveritare në Dhërmi, merr 210 mijë dollarë për mobilim dhe konstruksion të plotë të pjesës që ka mbetur. Po kështu edhe Presidenti do të marrë 150 mijë dollarë për të rregulluar zyrën e tij dhe për të mobiluar atë të takimit kokë më kokë. Ndërsa për shërbimin Informativ do të harxhohen 300 mijë dollarë për rregullimin e parkut, bien në sy edhe shpenzimet që Kuvendi ka kërkuar për të siguruar sistemin e kondicionimit me precision të lartë dhe atë të rrufepritëseve.

20 milionë dollarë për asistencë teknike, rikonstruksione dhe mobilim zyrash

Qeveria do të përdorë rreth 20 milionë dollarë nga fondi i investimeve publike të vitit që vjen për asistencë teknike, rikonstruksione dhe mobilim zyrash për administratën qendrore. Sipas projekteve të detajuara të shpërndarjes së fondit të investime, nga Ministria e Ekonomisë 2 miliardë e vlerës totale të zërit të investimeve prej 59 miliardë lekësh do ti dedikohen përmirësimit e cilësisë në ambienteve të administratës dhe projekteve te asistencës teknike që kanë lidhje me trajnimin e administratës publike.

500 mln lekë për asistencë teknike

Shpenzimet për asistencë teknike të përfshira në shpenzimet kapitale të vitit 2016 janë rreth 4.8 milionë dollarë ose 0.5% e totalit të investimeve. Janë dy projekte “Asistence stafi për projektin ” Rimëkëmbja e sektorit energjetik” që kushtojnë 45 milionë lekë. 144 milionë lekë të tjera do të kushtojnë projektet për përmirësim i menaxhimit te financave publike dhe përmirësim i kapaciteteve të administratës fiskale. Asistenca teknike nga fondet e IPA e përllogaritur si shpenzim kapital përfshin një vlerë prej 183 milionë lekësh.

Rikonstruksionet 1.1 miliardë lekë

Për përmirësimin e ambienteve në Presidencë do të përdoren këtë vit 15 milionë lekë nga buxheti i vitit që vjen. Një vlerë e madhe prej 35 milionë lekësh do të përdoren për rikonstruksion i zyrave të AKU (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit) , për ambientet e të cilit edhe më parë janë investuar shuma të mëdha. Ndërsa rreth 170 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të gjykatave në disa rrethe. Ministria e Arsimit do të shpenzojë 101 milionë lekë për rikonstruksion ambientesh, Ministria e Jashtme 75 milionë lekë dhe Ministria e Brendshme rreth 120 milionë lekë. Ministria e Financave do të shpenzojë për përmirësimin e ambienteve të saj 91 milionë lekë. Më shumë se 30 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të vilave qeveritare dhe 100 milionë lekë për ministrinë e Zhvillimit Urban

Mobilimi i zyrave 335 mln lekë

Në buxhetin e vitit 2016 në zërin e shpenzimeve kapitale do të shpenzohen rreth 3 milionë dollarë për mobilimin e zyrave të institucioneve publike në vend. Vetëm ministria e Ekonomisë dhe institucionet në varësi të saj do të përdorin 30 milionë lekë vitin që vjen për mobilimin e ambienteve. Ministria e financave do të shpenzojë 68 milionë lekë, ministria e Brendshme 80 milionë dhe Shërbimi informativ 30 milionë lekë. Ministria e Mjedisit do të shpenzojë për zyrat 10 milionë lekë. Prokuroria rreth 32 milionë lekë dhe gjykatat rreth 35 milionë lekë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: