PRISHTINE- Presidentja Atifete Jahjaga ka lëshuar një deklaratë në lidhje me 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Sot përkujtojmë me respekt dhe nder 8 mijë djem e burra të vrarë brutalisht në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, në aktin më çnjerëzor të gjenocidit në botë në shekullin XX. Sot kujtojmë ata që u vranë në mënyrë brutale edhe ata që u varrosën pas 20 vjetësh të aktit më të errët të njerëzimit dhe gjithashtu kujtojmë mijëra të zhdukur, nga një vepër mizore në përpjekje për të shkatërruar jetë njerëzish”, thuhet në këtë deklaratë.

“Viktimat e masakrës në Srebrenicë kërkojnë drejtësi edhe 20 vjet pas masakrës dhe ne duhet të sigurojmë se ata do të pushojnë të qetë, kur shkaktarët e vrasjes së tyre të jenë përballur me forcën e ligjit. Duhet të kujtojmë që të mos përsëritet më krimi ndaj njerëzimit, të mësojmë se gjenocidi i kryer në Srebrenicë nuk mund të pushojë e të heshtet pa dënim’, vijon ajo.

Sipas Jahjagës, drejtësia duhet të vihet në vend, që të hapet rruga e pajtimit në Ballkan, pajtimit të madh mes popujve që kanë kaluar histori të rënda mes vete.

“Falja nuk mund të ndodhë pa vënë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime në emër të luftërave të pakuptimta në Ballkan dhe drejtësia do të triumfojë kur të jenë përballur me të të gjithë shkaktarët e akteve gjenocidale në Ballkan. Në këtë përvjetor të dhimbjes e vuajtjeve të mëdha, Kosova sot është me familjet e të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, në një kohë kur edhe vetë po shëron plagët e luftës së saj”, përfundon deklarata e Jahjagës.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: