PRISHTINE- Presidentja e Kosovës, Atifite Jahjaga i ka bërë përgjegjëse partitë politike se me vonën në krijimin e institucioneve kanë shtyrë edhe procesin e liberalizimit të vizave. Veç kësaj, Jahjaga ka thënë se bllokada gjashtëmujore ka shtyrë edhe reformat e brendshme.
“Gjashtë muaj ta kemi një krizë të thellë politike, të mos krijimit të institucioneve, nuk ishte edhe aq mesazh i duhur ndaj qytetarëve”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Ndër sukseset të cilat kanë përshpejtuar proceset integruese, kryetarja e Kosovës veçoi zgjedhjet e fundit lokale dhe ato parlamentare, të cilat ishin vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtarë si zgjedhjet më të mira që ka organizuar Kosova, korrekte dhe demokratike.

Mirëpo, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare pasoi kriza politike dhe mos konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë. Ajo konsideron se, përkundër vonesave dhe dëmit që kjo krizë kishte shkaktuar, Kosova ka kaluar nëpër një proces që, më herët, kishin kaluar edhe shumë shtete tjera demokratike. Pas bërjes së koalicionit qeverisës dhe fillimit të punës së institucioneve, presidentja e Kosovës vlerëson se urgjentisht duhet kompensohet koha e humbur në procesin e reformave të brendshme dhe avancimin e agjendës evropiane, në veçanti duke potencuar ringjalljen e ekonomisë, si dhe krijimin e një klime të mirëfilltë të bërjes së biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Lidhur me shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) dhe vështirësive eventuale që, mospjesëmarrja e deputetëve të Listës Serbe në punën e institucioneve të Kosovës mund të shkaktojë, presidentja e Republikës së Kosovës tha se çështja e transformimit të FSK-së nuk është vetëm obligim i kësaj Qeverie dhe përbërje të Kuvendit, por një proces i vazhdueshëm i cili ka dalë nga rishqyrtimi i sektorit të sigurisë i bërë një vit e gjysmë më parë. Jahjaga premton se ky proces do të vazhdojë me tempin e përcaktuar.

Marrëdhëniet ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë sot, në krahasim me ato që ishin para katër viteve kur presidentja Jahjaga erdhi në detyrë, ajo i konsideron dukshëm më të avancuara, duke pasur parasysh të kaluarën e vështirë që ka lënë pasoja shumë të mëdha për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, sipas Jahjagës, hapja e dialogut për t’i normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me një përkrahje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa dyshim se do të kontribuojë në procesin e integrimeve evropiane, sepse një ndër parakushtet themelore të Bashkimit Evropian është që të gjitha çështjet e pazgjedhura duhet të zgjidhen brenda gjitha vendeve.

Kontribut në relaksimin e marrëdhënieve Kosova po jep duke integruar serbët në jetën shoqërore dhe atë institucionale, si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror ku ka serbë në pozitën e zëvendëskryeministrit, ministrave, zëvendësministrave dhe kryetarëve të komunave. Megjithatë, Jahjaga nuk fsheh faktin se Kosova ende po ngec në integrimin e komunitetit serb që jeton në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, duke mos dashur të bëjë krahasime, ajo ka ftuar shtetin fqinj, Serbinë, që të ketë parasysh të drejtat kushtetuese të garantuara për të gjitha komunitetet, jo vetëm për shqiptarët, por edhe hungarezët, rumunët, kroatët dhe të gjitha komunitetet tjera të cilat jetojnë në territorin e Republikës së Serbisë. Sepse, sipas presidentes Jahjaga, Kosova është shembulli më i mirë i respektimit dhe garantimit të drejtave të komuniteteve, në rajon.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb