PRISHTINE- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi sot se Serbia duhet të ndalojë mbështetjen e strukturave ilegale në Kosovë, konkretisht në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.
Gjatë një takimi me nënsekretarin e OKB-së për misione paqësore, Hervé Ladsous, Jahjaga duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ritheksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe angazhimin e mëtejshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Jahjaga kërkoi që qytetarët e komunitetit serb të ndihmohen për t’u integruar në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës.
Përveç kësaj presidentja bisedoi edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit si dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e një klime të mirë e të sigurt të biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një komunikatë për media, thuhet se presidentja Jahjaga vlerësoi partneritetin që Kosova ka me bashkësinë ndërkombëtare, duke theksuar se vendi është një rrëfim i përbashkët i suksesit i popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj dhe i bashkësisë ndërkombëtare.
“Kosova po e konsolidon praninë e saj ndërkombëtare, duke u bërë një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë”, nënvizoi Jahjaga duke shtuar se është me rëndësi pranimi i Kosovës në institucionet e organizatat ndërkombëtare posaçërisht në BE dhe OKB.
Presidentja Jahjaga e njohu Ladsous me përkushtimin e institucioneve të Kosovës për fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Duke folur për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, Presidentja Jahjaga tha se “Kosova është e përkushtuar që të zbatojë vendimet e marra me shumicë votash të Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale, sepse kështu do të përmbyllte një kapitull të rëndë, që nuk gjykon luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.
(ma.ar/BalkanWeb)