PRISHTINE- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi sot se “ne duhet të jemi krenarë që kemi një Kushtetutë e cila shtrin sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, si garant i zhvillimit demokratik dhe që promovon barazinë e të gjithë qytetarëve”. Në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës së Kushtetutës, Jahjaga tha se “tha se shteti i së drejtës është rruga që duhet ndjekur nga institucionet”, transmeton KosovaPress.

Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës, ditë në të cilën 7 vjet më parë u vunë themelet e shtetit tonë mbi premtimin se në realizimin e ëndrrës tonë për Kosovën shtet, vendin tonë do ta bëjmë vend të lirë, të pavarur, demokratik e të përparuar”.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës që do ta mundësonte krijimin e Kosovës së pavarur, por edhe si akt i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan e u flijuan që ne – të gjithë ne – të frymojmë të lirë, që të jemi zot të vetvetes. Ky akt përmbledh parimet universale të të drejtave të njeriut dhe parimet e tjera të cilat i përqafojnë shtetet e përparuara demokratike”, nënvizoi Jahjaga duke shtuar se si e tillë Kushtetuta e Republikës së Kosovës është Kushtetuta më moderne e këtij fillimshekulli, dokument që për synim ka avancimin e demokracisë e pluralizmit dhe mbrojtjen e qytetarit të Kosovës pa dallim etnie e feje, pa dallim gjinie e orientimi.

Gjatë vitit të kaluar, vijoi ajo, ne kemi parë se Kushtetuta jonë është e miratuar por e pa provuar. Gjithashtu, kemi dëshmuar se institucionet tona dhe partitë politike janë të gatshme dhe të vetëdijshme që funksionet dhe diskutimet duhet të zhvillohen në kuadër të këtij akti më të lartë juridik.

“Kushtetuta, sikur edhe institucionet e mandatuara për zbatimin e saj, janë vënë para një sprove të rëndë të qëndrueshmërisë, të dhënies së përgjigjes për realitete politike, të cilat nuk i kishte përshkruar. Por, edhe në momentet e lëkundjeve të mëdha, debati brenda kuadrit kushtetues, duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga vullneti i momentit dhe duke u përqendruar në parimet e Kushtetutës, vendosi standard të domosdoshëm për zhvillimin demokratik të vendit”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga u shpreh se “sistemi ynë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashikohet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm. Kjo mbetet një aspiratë, realizimi i të cilës po kushtëzon qëndrueshmërinë tonë si shtet, besimin e qytetarëve në vendin e tyre dhe përpjekjet e shoqërisë tonë që Kosovën ta vendosë në proceset integruese”.

mustaf71Ndërsa kryeministri Isa Mustafa tha se “Kushtetuta e Republikës së Kosovës u shpall shtatë vite më parë si akti më i lartë juridik që kurorëzoi pavarësinë tonë. Por, edhe si akt politik i cili flet për përgjegjësinë tonë për ta ndërtuar një vend të lirë, demokratik, të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Është po ashtu përkushtimi ynë për politika të miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjithë ata që e ndihmuan lirinë dhe pavarësinë tonë”.

“Do ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por po ashtu, do të shfrytëzojmë këtë sovranitet për t’iu krijuar qytetarëve tanë jetë më të mirë dhe më të begatshme, të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose ndonjë përkatësi tjetër”, tha kryeministri kosovar.

Kreu i qeverisë shprehu zotimet e qeverisë se do të punojmë pa kursyer asgjë, që ta ndërtojmë Kosovën tonë si një vend të lirë, demokratik dhe paqedashës, të qytetarëve të barabartë me një të ardhme euroatlantike.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: