Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Ardhja e Ermonela Jahos dhe Gëzim Myshketës në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ka rritur ndjeshëm interesin e publikut shqiptar. Sopranoja dhe baritoni, që kanë shënuar sukses në skenat më të mëdha të operas botërore, do interpretojnë rolet kryesore në dy operat premierë mbrëmjen e së shtunës në Tiranë.
Interesi ka qenë aq i lartë, saqë zyra e shtypit pranë TKOB konfirmon se janë shitur biletat për tri net të shfaqjes. Kësisoj së paku 2400 artdashës do ta ndjekin premierën e dy prej tri pjesëve të triptikut të Giacomo Puccini-t. Përkatësisht, biletat e shitura kanë të bëjnë me shfaqjen që jepet sonte në mbrëmje, prova gjenerale për të cilën bileta ka qenë vetëm 200 lekë, ndërsa dy mbrëmjet e tjera janë data 14 shkurt dhe data 16 shkurt e janë ende të pashitura biletat për datën 18 dhe 20 shkurt.
Shfaqja
“Suor Angelica” e “Gianni Schicchi”, dy opera në një akt të vetëm të Triptikut të Giacomo Puccini-t kanë sjellë Ermonela Jahon dhe Gëzim Myshketën në TKOB për herë të dytë brenda pak kohësh, pas një bashkëpunimi mes teatrit dhe Institutit Italian të Kulturës. Në konferencën për shtyp, sopranoja e mirënjohur që e interpreton për herë të parë në skenën shqiptare “Suor Angelica” foli rreth arsyeve që e kanë sjellë përsëri në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe emocionet që ndjen në pjesë të kësaj natyre. Ndërsa baritoni i mirënjohur Gëzim Myshketa, që interpreton dhe është njëkohësisht dhe regjisor i operës ‘Gianni Schicchi’ u shpreh se ndihet i privilegjuar në skenën shqiptare dhe se pjesa, ndonëse e shkruar shumë kohë më parë, e gjen veten në Tiranën e këtyre ditëve. Sonte në mbrëmje, për publikun e gjerë, do të jetë e hapur edhe prova gjenerale në orën 19:00 – çka është në fakt një shfaqje që i paraprin premierës dhe bileta për të cilën ka kushtuar vetëm 200 lekë. Premiera e vërtetë, është të shtunën më datë 14, në orën 19:00, dhe do të vazhdojë në 16, 18 dhe 20 shkurt, po në orën 19:00. Të dy operat janë produksione tërësisht të reja, që nga koncepti regjisorial, skenat dhe kostumet. Kasti i këtyre dy Operave përfshin edhe emra të tjerë të njohur, që janë solistët e TKOBAP, si Irini Nikolla, e cila do të jetë Suor Angelica në natën e tretë dhe të katërt, Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha, që do të interpretojnë tezen zemërgur të Suor Angelica-s. Për Operën komike ‘Gianni Schicchi’, kasti do të plotësohet nga emra të tjerë të njohur, si Besa Llugiqi, soprano nga Kosova, Ramona Tullumani, Armando Likaj, Eriona Gjyzeli, Sonila Baboçi etj. Artistë të tjerë të ftuar janë nga Italia. Regjisori i ‘Suor Angelica’ është Marco Pucci Cattena, një profesionist i regjisë operistike, veprat e të cilit janë vendosur në skenat e teatrove më të njohur të Italisë dhe botës. Gianni Schicchi si personazh do të interpretohet në natën e tretë dhe të katërt nga një bariton i cili vjen nga Italia, Leonardo Galeazzi dhe tenori në rolin e Rinuccio-s do të jetë po italian, Gabriele Mangione. I ftuari i fundit nga Italia do të jetë dirigjenti Sebastiano Rolli.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb