NGA VJOLLCA KONGJONI
TIRANE- Ndërkohë që Banka e Shqipërisë raporton, në vrojtimin e saj për periudhën prill –qershor të këtij viti, se ka rënë interesi i biznesit për kredi ndërsa kushtet e kreditimit nga ana e bankave janë lehtësuar, sipërmarrja private konfirmon të kundërtën. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, në një intervistë për “News 24”, shprehet se kushtet e kredidhënies në Shqipëri nuk janë të liruara sikurse raporton Banka e Shqipërisë. Ai flet për një marrëdhënie diskriminuese dhe të njëanshme që bankat e nivelit të dytë në vend, kanë me biznesin.
“Mund të jenë të liruara vetëm kushtet e raportuara në BSH dhe vazhdon të jetë një kontratë diskriminuese dhe e njëanshme e kontratave të kreditimit mes bankave të nivelit të dytë dhe sipërmarrjes private. Dhoma e Tregtisë ka pesë vjet që ngre zërin për këtë lloj diskriminimi dhe këtë lloj marrëdhënie të munguar mes biznesit dhe sistemit bankar. Kushtet e kreditimit nga bankat e nivelit të dytë në vend janë të shtrënguara. Ka një rënie të nivelit dhe të kërkesës së kredisë nga ana e biznesit dhe sërish bankat nuk po marrin masa. Me gjithë sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë dhe instituti i Statistikave, nga përfaqësi të huaja dhe shqiptare që ka një rënie të nivelit të kredisë, prapë sistemi bankar nuk po merr masa për të kapërcyer këtë ngërç të formës burokratike dhe masave shtrënguese që ka në dhënien e kredive. Mungon vullneti dhe cikli i lidhjes së vlerës së shtuar për të krijuar punën dhe kreativitetin e duhur tek sipërmarrja”, tha Jaka.
Por biznesi e ka gjetur vetë zgjidhjen për marrjen e huave dhe vijimin e investimeve të tyre. Sipërmarrësit u janë drejtuar bankave në vendet fqinje, ku sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, interesat janë më të ulëta dhe nuk kanë asnjë barrierë.
“Biznesi i është drejtuar bankave të huaja për të marrë kredi, kryesisht në vendet fqinje. Biznesi drejtohet aty ku shikon prioritetet më të mira. Jo vetëm biznesi i huaj në Shqipëri po u drejtohet bankave në vendet e tyre për të marrë kredi, por edhe biznesi vendas u është drejtuar këtyre bankave. Në këto vende interesat e kredive janë më të ulëta. Kanë një marrëdhënie relaksuese dhe ndihmë reciproke për të konverguar deri në marrjen e kredisë, dhe e treta nuk ka asnjë lloj barriere apo sistem burokratik siç ndodh në sistemin bankar shqiptar”, u shpreh Jaka.
Për Jakën, tashmë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e ka gati axhendën që do të diskutohet me guvernatorin e BSH në shtator, për të gjitha problemet që biznesi vendas ka me kreditimin.
(b.e/BalkanWeb)
