TIRANË

Zbardhen dëshmi të tjera për 33-vjeçaren Amarilda Leka, e cila nëpërmjet mashtrimit dhe duke u hequr si gjyqtare apo juriste ka përfituar shumë të mëdha parash duke premtuar lirimin nga burgu.

Bajazit Zeneli nga Tepelena ka denoncuar se tri vite më parë është mashtruar nga Amarilda Leka dhe J.G., të cilët i kanë marrë një shumë prej 60 mijë eurosh. Ai ka rënë në kontakt me ta nëpërmjet të njohurve të tij. Zeneli thotë se është takuar me ta tek lokal “Ujëvara” dhe i fejuari i Amarildës, J.G. i ka thënë se për të nxjerrë kunatin e tij, e ndihmonte ajo.

Të nesërmen ai thotë se e mori në telefon personi dhe i nxori në telefon Amarildën. Kjo e fundit i ka thënë se “punoj si gjyqtare në gjykatën e Krimeve të Rënda dhe do të ndihmoj për problemin që ke”.

Bajazit Zeneli pretendon se përgjatë 2015, në vende të ndryshme i kanë marrë shuma të ndryshme parash, në total 60 mijë euro.
Edhe pse kishte dhënë paratë, ai thotë se kunati i tij A.M. i akuzuar për vrasje për gjakmarrje, u dënua nga gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Pas kësaj, Amarilda ka pretenduar se do t’ia nxirrte kunatin nga burgu, pasi njihte dy gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Më vonë, kallëzuesi ka dyshuar, pasi ka parë që gjykimi nuk po zhvillohej.

Më vonë, ka mësuar se Amarilda ishte arrestuar për mashtrim. Ai ka takuar J.G., i cili i ka thënë se “Amarilda ka rënë në burg dhe paratë do t’i ktheheshin, sapo të dilte”.

DËSHMIA E TË FEJUARIT
J.G. ka deklaruar se me Amarilda Lekën është njohur përmes “Facebook”. Ajo i është prezantuar si gjyqtare e Krimeve të Rënda. Ajo i ka thënë se “kam mbaruar shkollën në Amerikë dhe kur u ktheva në Shqipëri, kam punuar si sekretare pranë një ish-ministreje”, të cilës nuk ia mban mend emrin.

Një ditë ai ka qenë në një kafe së bashku me shtetasen Amarilda Leka dhe shtetasin Armand Mali. Armandi i ka thënë Amarildës në muhabet e sipër se “kam një mikun e babait që ka një hall, të lutem bisedo ta ndihmosh”. Amarilda i tha që “do shoh çfarë do bëj, por ma sill ta takoj”.

Pas disa kohësh ata janë takuar të tre me shtetasin Bajazit Zeneli nga Tepelena dhe u ulëm në kafe afër “Myslym Shyri”.
Amarilda u ka thënë që “dua të bisedoj me Bajazitin”. Ata u larguan nga tavolina dhe kur kanë dalë përjashta Armandi i ka thënë që “Amarilda e mori përsipër Bajazit, t’i mbarojë punë”.

Herën e dytë janë takuar tek i njëjti lokal përsëri të katërt dhe pasi pinë kafe ai me Armandin janë çuar për të dalë, ndërsa Bajaziti ka thënë “një minutë” dhe ka biseduar me Amarildën dhe i ka dhënë diçka.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pas rreth dy-tre ditësh Juliusi është takuar me Amarildën dhe ajo i ka thënë që “do t’ia kryej porosinë Bajazitit, pasi në lokal kur pimë kafe herën e fundit, Bajaziti më ka dhënë 45 euro dhe këto euro ia dhashë dikujt, një personi me pushtet”, emrin e të cilit ma tha, por nuk e mban mend.

Përveç këtij rasti ata janë ulur edhe dy ose tre herë për kafe me Bajazitin. Në këto raste Amarilda i thoshte Bajazitit që “çdo gjë është ok, është e mbaruar, është në rregull”, dhe ai pasi e dëgjonte gëzohej.

Ai shpjegon se e ka çuar Amarildën dy ose tre herë për takim me Bajazitin afër “Komunës së Parisit”. Janë ulur të tre në kafe dhe një herë e ka ngritur në makinë. Ai ka folur më pas me Bajazitin, i cili i ka thënë që Amarilda i ka marrë 60 000 euro me pretekstin se do t’i mbaronte punë në gjykatë. Disa kohë më pas ai ka marrë vesh që Amarilda është arrestuar për mashtrim dhe që nga ai moment nuk ka pasur kontakt me të.

Nga ana jonë janë administruar vendimet e dënimit të shtetasi Ali Manaj nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda nga ku ka rezultuar se ai është dënuar për veprat penale të “Vrasjes për gjakmarrje” në bashkëpunim mbetur në tentativë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb