Ka ndërruar jetë në moshën 101 vjeçare i mbijetuari i Holokaustit, Eddie Jaku.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u burgos në katër kampe përqendrimi, udhëhoqi një arratisje të guximshme në një tren, u çlirua nga një marshim vdekjeje dhe mbijetoi në një pyll.

Jaku i kushtoi pjesën tjetër të jetës së tij duke mbrojtur paqen dhe mirësinë. “Unë nuk urrej askënd.
Urrejtja është një sëmundje që mund të shkatërrojë armikun tuaj, por gjithashtu do t’ju shkatërrojë ju,” deklaronte ai.

Vitin e kaluar, për të festuar 100-vjetorin e lindjes, Jaku publikoi kujtimet e tij. Titulluar, “Njeriu më i lumtur në Tokë”, ai tregoi historinë e tij të jashtëzakonshme të mbijetesës, duke gërshetuar në mesazhet e tij të tolerancës dhe faljes. Gjithashtu e bëri atë një nga autorët më të vjetër të botuar në botë.

“Unë kam jetuar për një shekull dhe e di se çfarë është të shikosh të keqen në fytyrë,” shkroi ai.

“Unë kam parë më të keqen në njerëzim, tmerret e kampeve të vdekjes, përpjekjet naziste për të shfarosur jetën time dhe jetën e të gjithë njerëzve. Por tani e konsideroj veten njeriun më të lumtur në tokë,” shprehej ai.

Jaku vdiq në një shtëpi të kujdesit në Sidnei, shkruajnë mediat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb