Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan në zgjedhjet e 5 nëntorit, Donald Trump u intervistua në rrjetin social X nga Elon Musk, pronar i faqes së medias sociale që dikur quhej Twitter, themelues i SpaceX dhe bashkëthemelues i Tesla.

Gjatë bisedës, Trump njoftoi se në tetor do të kthehet në Butler, Pensilvani, ku u plagos në një sulm në korrik gjatë atentatit nga Thomas Matthew Crooks i cili u përpoq t’i merrte jetën kandidatit republikan. Atentatori 20-vjeçar u ekzekutua nga snajperistët e shërbimit sekret disa sekonda pas shtënave të tij.

“Meqë ra fjala, ne do të kthehemi te Butler në tetor. Tashmë kemi organizuar gjithçka dhe njerëzit në Butler janë fantastikë. Është një zonë vërtetë e bukur. Ata janë njerëz besnikë, si në rastin e Corey i cili mbeti i vrarë ndërsa u plagosën dy familjarë të tij. Kam pasur rastin t’i njoh pak dhe janë fantastikë. Ne do të kthehemi atje”, deklaroi Trump.

Pyetja e parë e Musk ishte pikërisht për atentatin ndaj tij, për të cilën Trump tha se e kuptoi menjëherë se “ishte një plumb” dhe ishte goditur në vesh. Këndi i kokës së tij nënkuptonte se i godiste vetëm veshin, përndryshe do të kishte qenë më keq.

Pas asaj ngjarje, Trump thotë se ka reflektuar dhe është bërë më shumë besimtar.

“Për ata njerëz që nuk besojnë në Zot, mendoj se ne të gjithë duhet të fillojmë të mendojmë për këtë”. “Unë jam një besimtar tani. Unë jam më shumë besimtar në Zot, kështu mendoj”, tha Trump, ndërsa kujtoi të shtënat.

“Nuk e dija se kisha aq shumë gjak”, tha Trump për plumbat që i kaluan ngjitur me kokën, ndërsa njëri prej tyre e preku te veshi i djathtë, ndërsa tha gjithashtu se kjo ishte e keqja më e vogël, pasi plagosja nuk ishte e rëndë.

Trump zbuloi se snajperi i Shërbimit Sekret nuk ishte në dijeni të situatës në atë kohë dhe deklaroi “duhet t’i heq kapelen”, duke iu referuar reagimit të shpejtë. Duke diskutuar për rëndësinë e situatës, Trump tha: “Nuk mund të falsifikosh trimërinë në rrethana të tilla, guximi është instinktiv, ose nuk është”.

Pasi ishte qëlluar Trump u rrëzua dhe u ngrit nga agjentët disa çaste më pas. Trump kujtoi grushtin ngritur dhe drejtuar turmës duke shtuar se donte t’iu  tregonte gjendjen e tij mbështetësve republikanë në mitingun e Butler, duke thënë: “Doja të ngrihesha dhe t’i bëja të kuptonin se isha mirë dhe ata u çmendën (brohoritën të gjithë)”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb