E tronditur, por me humor të mirë, Sarah Ferguson tha në deklaratën e saj të parë publike që nga njoftimi se ishte diagnostikuar me kancer të lëkurës, aventura e dytë e tillë shëndetësore në një vit, pasi verën e kaluar ajo u diagnostikua me kancer gjiri dhe iu nënshtrua një mastektomie.
Në postimin e saj, Ferguson thotë se është “mirënjohëse” për mesazhet e dashurisë dhe mbështetjes që ka marrë, ndërsa me rastin e përvojës së saj ajo thekson “rëndësinë e kontrollit të madhësisë, formës, ngjyrës dhe strukturës së çdo nishani të ri që mund të jetë një shenjë e melanomës.’
“Po pushoj në shtëpi me familjen time dhe ndihem e bekuar për dashurinë dhe mbështetjen e tyre”, ka përfunduar në postimin e saj Sarah Ferguson, e cila ka falënderuar edhe stafin e klinikës që është marrë me problemin e saj shëndetësor.
Postimi i plotë nga Sarah Ferguson
“Kam marrë pak kohë për veten time pasi u diagnostikova me melanoma malinje, një formë e kancerit të lëkurës, diagnoza ime e dytë e kancerit brenda një viti, pasi u diagnostikova me kancer gjiri në verë dhe bëra një mastektomi dhe një operacion rindërtues. Falë vigjilencës së dermatologut tim, melanoma u kap herët.
Natyrisht, që pasi u diagnostifikova sërish me kancer ishte një tronditje, por unë jam në humor të mirë dhe mirënjohëse për mesazhet e shumta të dashurisë dhe mbështetjes. Unë besoj se përvoja ime thekson rëndësinë e kontrollit të madhësisë, formës, ngjyrës, strukturës dhe pamjes së nishaneve të reja që mund të jenë një shenjë e melanomës dhe i bëj thirrje kujtdo që e lexon këtë të jetë i zellshëm.
Unë jam jashtëzakonisht mirënjohëse për ekipet mjekësore që më mbështetën në të dyja këto përvoja të kancerit dhe për Klinikën MAYRLIFE që u kujdes për mua gjatë javëve të fundit, duke më dhënë kohë të shërohem. Tani po pushoj me familjen time në shtëpi, duke u ndjerë e bekuar që kam dashurinë dhe mbështetjen e tyre”.