TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi vuri theksin tek ringritja e një të majte të shëndetshme në pushtet gjatë fjalës së saj në 15-vjetorin e LSI-së. Kryemadhi bëri ‘mea culpa’ për situatën në vend dhe pushtetin e Rilidnjes, të cilin e quajti organizatë kriminale dhe oligarkike. Ajo theksoi se pa një të majtë të shëndetshme Shqipëria nuk ka shans të dalë nga humnera.

“Unë nuk ngurroj të them që kemi dhe ne përgjegjësinë tonë, pavarësisht nga disa iniciativa të mira që jemi munduar të imponojmë, pasi nuk kemi mundur t’i përfaqësojmë ata siç duhet.
Por më 30 qershor shumica e shqiptarëve 85% na dhanë përfaqësimin e tyre. Sepse bojkoti masiv për të votuar si në komunizmin famëkeq, ka rritur tashmë përgjegjësinë e opozitës shqiptare që të gjejë mekanizmat më të mirë për të përfaqësuar shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Atë shumicë që me bojkotin e saj i tha ‘jo’ regjimit kriminal dhe oligarkik të Edi Ramës.
Ne si opozitë e bashkuar ndoshta kemi bërë aq sa kemi mundur për të denoncuar këtë regjim. Por edhe unë ashtu si ju, jam e bindur se kjo nuk mjafton”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo kërkoi rindërtimin e një të majte të vërtetë, detyrë në të cilën LSI do të marrë përgjegjësinë për ta çliruar të majtën nga thundra e krimit.

“Në kohën kur organizata kriminale dhe oligarkike me emrin Rilindje, ka shkatërruar me plan te mirëfilltë të majtën gjenuine shqiptare me qëllim kryesisht zaptimin dhe futjen në kthetrat e saj të ekonomisë shqiptare dhe kur fatkeqësisht me ane te koncesioneve dhe PPP-ve, kryeministri ynë e ka tenderuar dhe burgosur të ardhmen tonë ekonomike dhe për 15 apo 20 vitet e ardhshme. Në këto kushte ne na duhet të mendojmë për një zgjidhje afatgjatë dhe jo thjesht për të nesërmen.
Unë në formimin tim politik jam një ‘socialiste demokrate’, siç ka plot të tillë edhe ndër ju në sallë e kudo në Shqipëri, edhe pse të braktisur e të zhgënjyer në aspiratën e tyre prej fenomenit abuziv me etiketën ‘Rilindje’.

Si socialiste demokrate, unë jam e bindur se drama e pabarazisë në Shqipëri, as nuk mjekohet, madje as nuk zgjidhet, pa rivendosjen e së majtës së vërtetë në shinat e vlerave dhe demokracisë dhe integrimit, të solidaritetit dhe humanizmit.
Kushtet në të cilat ndodhemi na e ngarkojnë ne këtë përgjegjësi historike. LSI duhet të çlirojë të majtën nga thundra kriminale e shpërdorimit të Rilindjes. Ky është misioni ynë politik dhe historik. Për të cilin do të na vlerësojnë fëmijët tanë dhe historia nesër”, theksoi kryetarja e LSI-së.

Sipas saj, trëndafili i kuq i socialistëve shqiptarë me rrënjët në gjakun e dëshmorëve të lirisë dhe ëndërr Shqipërinë si gjithë Europa që u bë e duhej të ishte edhe sot simbol i politikave sociale, nuk është më.

“Ai është zëvendësuar me fjongon e zezë të korrupsionit të PPP-ve dhe degëzën e kanabisit si simbol i qeverisjes dhe krimit të bërë një, që jo vetëm shkatërroi partinë e vlerave dhe kontributeve historike për Shqipërinë, por lëndoi zemrat e qindra mijëra pensionistëve, veteranëve të luftës nacional çlirimtare, duke bërë që të rinjtë dhe te rejat të marrin udhët e mërgimit, dhe që po e çon edhe vendin në një asfiksi totale që vështirë ta marrë veten. Ndaj ne duhet ta marrim përsipër këtë sfidë…
Unë jam e vëmendshme ndaj çdo alternative ekonomike që shpaloset nga çdo do krah, nga çdo parti e djathtë, e qendrës apo kudo qoftë. Por njëkohësisht jam e bindur dhe e ndërgjegjshme që Shqipëria nuk shpëton nga drama e pabarazisë pa një të majtë të fortë e modern, të hapur e të shëndetshme e mbi të gjitha që të ketë të shenjtë interesat kombëtare dhe shërbimin ndaj qytetarëve”, theksoi Kryemadhi.

Sipas saj, sa më shpejt të ringrihet e majta e munguar dhe e pushtuar, aq më të pakta do t’i ketë ditët ky regjim antipopullor, dhe shumë tepër shpresë do të ketë për të ardhmen.
“Shumë herë ideologjitë përdoren për t’u marrë votën qytetarëve. Bota ka plot shembuj të tillë, edhe Shqipëria ka mjaftueshëm raste të tilla. Por unë prapë e them me bindje se pa një të majtë të shëndetshme Shqipëria nuk ka as shansin më të vogël të dalë nga kjo humnerë ku e ka çuar grabitja që thellon përditë pabarazinë.
Sa më shpejtë të ringrihet e majta e shëndetshme dhe atdhetare, aq më e fortë do ndjehet dhe e djathta patriotike shqiptare dhe aq me organik, dhe më i dobishëm do jete partneriteti dhe bashkëpunimi opozitar si mision për të bërë punë më të mira për Shqipërinë. Për të përfaqësuar numrin e madh të pensionistëve që fatkeqësisht po rritet me shpejtësi galopante, për të ndalur largimin masiv të rinisë dhe intelektualëve shqiptarë”, deklaroi Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb