I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit James Rubin i tha Zërit të Amerikës se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje.

Zyrtari i lartë amerikan, i cili luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovës, thotë se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit.

Në një intervistë me Garentina Kraja, zoti Rubin flet edhe për shqetësimet lidhur me fushatën e dezinformacionit të përhapur nga Rusia dhe Kina në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Rubin, Departamenti amerikan i Shtetit kohët e fundit njoftoi për një nismë të përbashkët me Bashkimin Evropian për të luftuar dezinformimin dhe propagandën ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor. Me çfarë sfide po përballeni?

James Rubin: Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë një prej kërcënimeve më të mëdha të epokës tonë dhe Perëndimit i është dashur kohë për ta kuptuar shkallën e luftës informative që Rusia dhe Kina kanë zhvilluar kundër nesh.

Prandaj na duhet të punojmë më shumë për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. Nisma për Ballkanin Perëndimor synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit, ato që duan të anëtarësohen në BE, që po punojnë për të përmbushur standardet e BE-së, për të hartuar procedura, politika, plane, për të ngritur kapacitetet, pra po hartojmë atë që e quajmë korniza për të luftuar informacionin e huaj.

Kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi me disa shtete të Ballkanit për t’i ndihmuar që të ballafaqohen me këtë sfidë.

Rusia e përdor dezinformimin në gjithë botë, por në veçanti në Ballkanin Perëndimor.

Ata po operojnë përmes (agjencisë ruse të lajmeve) ‘Sputnik Serbia’, përmes ‘RT Serbia’ që fatkeqësisht ende vazhdon të transmetojë . Dhe për shkak se shumë shtete flasin të njejtën gjuhë në Ballkanin Perëndimor, këto lloj informatash përdoren, ripërdoren dhe manipulohen.

Po përpiqemi t’i ndihmojmë shtetet e rajonit të mbrohen ndaj tyre, duke patur parasysh që të gjitha ato duan të anëtarësohen në BE duhet të përmbushin standardet e BE-së dhe një prej tyre është parandalimi i manipulimit të informacionit në vendet e tyre.

Po përpiqemi t’i ndihmojmë të bëhen gati për këtë dhe në proces e sipër shpresojmë që ato do të përmirësojnë bashkëpunimin me njëra-tjetrën./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: