TIRANE– Tatimet dhe doganat nuk realizojnë as planin e shkurtuar. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për 8- mujorin tregojnë se të ardhurat në total janë 2.7 miliardë lekë më pak se plani, ndërkohë që tatimet dhe doganat janë 1.6 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar. Performancën më të dobët e shënon taksa kryesore që identifikon konsumin në vend, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Referuar treguesve fiskalë për periudhën janar-gusht, nga ky zë janë arkëtuar 1.2 miliardë lekë më pak se plani. Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, mësohet se në të njëjtën periudhë edhe tatimi mbi të ardhurat personale nuk ka arritur planin, po ashtu edhe tatim-fitimi, përkatësisht me 316 milionë lekë dhe 220 mln lekë.

E megjithatë, nëse krahasimet bëhen me 8-mujorin e vitit të shkuar, të ardhurat në total janë 12.1 miliardë lekë më shumë, e thënë ndryshe janë rritur me 5.1% diktuar nga zëri i të ardhurave tatimore dhe jotatimore. Sipas planit të Ministrisë së Financave, deri në fund të vitit qeveria është angazhuar të mbledhë në arkën e shtetit 330 milionë dollarë, të cilat janë përllogaritur nga Ministria e Financave si të ardhura që do të grumbullohen nga lufta kundër informalitetit në të gjithë Shqipërinë.

MOSREALIZIMI
Të ardhurat në total janë 2.7 miliardë lekë më pak se plani dhe ato nga tatimet e doganat 1.7 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar. Mosrealizimi ka ardhur në pjesën më të madhe nga TVSH, që i mungojnë 1.2 miliardë lekë nga plani, 220 milionë lekë më pak nga tatimfitimi dhe 316 milionë lekë më pak nga tatimi mbi të ardhurat personale. Zëri tjetër me realizim më pak se plani është ai të ardhurave jotatimore me -950 milionë lekë. Ministria e Financave rishikoi në ulje buxhetin në gusht, për shkak të performancës së dobët të të ardhurave nga tatimet e doganat, që për periudhën janar-gusht 2015 ishin 18.3 miliardë lekë më pak se plani fillestar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: