Kryeministri Edi Rama ironizoi sot opozitën për kritikat e bëra ndaj tij lidhur me koncesionin për parkun e Butrintit.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha me një ton ironik se opozita pretendon se qeveria ka përfituar shumë para nga Butrinti dhe se, sipas tyre, mazhoranca nuk di se ku t’i çojë ato, ndaj ato “hidhen” për “ca lodra si Plug and Play dhe të tjera”.
“E kemi nisur nga bishti me një numër qesharak dhe disfunksional shërbimesh dhe nëse sot, ne kemi në platformën e shërbimeve publike mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, e kemi nisur me më pak se 50 mijë përdorues. Edhe ata, që thjesht dhe vetëm ishin regjistruar, po nuk është se merrnin shërbime.
Është një transformim rrënjësor të mendosh që në pak javë akoma, ne çelim dyert e një parku teknologjik që do të mirëpresë të gjithë startup-et apo kompanitë që funksionojnë në botën dixhitale me legjislacionin më favorizues në të gjithë këtë pjesë të Europës. Dhe që tani kanë filluar shumë interesime nga kompanitë, qoftë nga kontinenti ynë, qoftë edhe deri nga Shtetet e Bashkuara, për t’u vendosur në atë park, i cili është midis Tiranës dhe Durrësit dhe quhet “Durana” Tech Park. Po ashtu, po përgatisim dhe bashkë me ADF-në do i japim jetë dhe “Vlora Tech Space” në qendrën që po përfundon së ndërtuari në Vlorë.
TUMO-ja do të spostohet, do të vendoset apo do të degëzohet, po themi, jo se do iki nga këtu, po do rritet edhe në Shkodër, edhe në Elbasan e kështu me radhë.
Në të gjitha shkollat do të kemi brenda një periudhe 2-vjeçare Laboratorët Smart. Ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim fazën e parë, e kemi përmbyllur me ADF-në dhe për ata që nuk e dinë pse ADF-ja ka gjithë të akses, është se jemi midis nesh këtu, që të jemi transparent, është sepse qeveria dhe ADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit”. Kështu që, nëse do të shikoni në internet Parkun arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, historinë, mos u nisni atje, se “atje nuk ka gjë”. “Gjithçka është marrë edhe është çuar diku” dhe falë këtij fakti “kemi përfituar edhe shumë para që nuk dimë ku t’i çojmë, edhe i hedhim kot për këto lodrat “plug and play” dhe ça janë këto të tjerat”.
Po këtë mbaheni për vete, ju lutem se na kanë vënë mbrapa një kanarinë që na këndon sa herë na sheh. Më shumë e kam merakun e Martinit dhe të Sandrit. Se Martini që është njeri me shumë humor, sa herë përmendet kjo, nuk qesh kurrë, se vetëm tmerrohet. Nuk ka gjë më të keqe në jetë se sa të bëjnë stalking”, tha Rama.
(BalkanWeb)