Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç gjatë një konference për mediat në Beograd, në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, ka lëshuar një fyerje të rëndë ndaj liderëve politikë të Kosovës, duke thënë se “janë njerëz të dalë nga mali”.

Kjo deklaratë e Brnabiç është bërë në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio, në një konferencë që po zhvillohej në lidhje me raportet mes Beogradit e Prishtinës. Pas kësaj, ka reaguar ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, që tha se kryeministrja serbe nuk do lejohet të hyjë në Kosovë për sa kohë që ndjek ideologji të tillë raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe etnive që jetojnë në vend.

Mirëpo, reagime ka pasur edhe nga zyrtarë të lartë jashtë Kosovës. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, një deklaratë të tillë e ka quajtur deklaratë fashiste. Osmani madje ka kërkuar që Bashkimi Evropian të reagojë ndaj kësaj deklarate dhe deklaratave të mëparshme nga ana e përfaqësuesve serbë. Ndërkaq, Doris Pak, ish deputetja e Parlamentit Europian, duke komentuar këtë deklaratë në Twitter, ka thënë se një deklaratë e tillë është e pabesueshme, por se një të tillë e kishte dëgjuar edhe gjatë viteve 90’ta në Serbi.

Edhe ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi ka kërkuar nga Bashkimi Europian që të reagojë për deklaratën e pabesueshme të kryeministres serbe Brnabiç.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb