Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se urdhrat e evakuimit të lëshuara me qëllim mbrojtjen e civilëve në Gaza, në të vërtetë po i rrezikojnë ata.

Ai ka deklaruar se civilët po detyrohen të lëvizin në zona që janë po njësoj të pasigurta, ndërsa shtoi se në vendet e shpërngulura tashmë atyre u mungon edhe aksesi në burime të nevojshme për mbijetesën siç është uji dhe produktet mjekësore.

Muhannad Hadi, koordinatori humanitar i OKB-së për territorin e pushtuar palestinez, shtoi se mes banorëve të shpërngulur po përhapen një numër i lartë sëmundjesh.

“Që nga fillimi i konfliktit në tetor, urdhrat e evakuimit të Izraelit në Gaza kanë zhvendosur 90% të 2.1 milionë banorëve të saj. Kishte 12 urdhra evakuimi vetëm në gusht që detyruan rreth 250,000 njerëz të lëviznin përsëri. Ata po i detyrojnë familjet të ikin sërish, në një zonë gjithnjë në pakësim që është e mbipopulluar, e ndotur, me shërbime të kufizuara dhe, si pjesa tjetër e Gazës, e pasigurt. Njerëzit po privohen nga aksesi në shërbimet thelbësore për mbijetesë, duke përfshirë objektet mjekësore, strehimoret, puset e ujit dhe furnizimet humanitare. Furnizimi me ujë në Deir al Balah është ulur me të paktën 70% për shkak të mbylljes së pompave dhe impianteve të shkripëzimit të vendosura brenda zonave të evakuimit. Një mungesë e madhe e klorit për dezinfektimin e ujit, me rezerva që pritet të zgjasin vetëm një muaj më shumë, po nxit sëmundjet, infeksionet e lëkurës, hepatitin A dhe tani poliomielitin. Civilët janë të rraskapitur dhe të tmerruar, duke vrapuar nga një vend i shkatërruar në tjetrin, pa i parë fundi. Kjo nuk mund të vazhdojë. Ajo që duhet të bëjmë është e qartë: Mbroni civilët, lironi pengjet, lehtësoni aksesin humanitar, bini dakord për një armëpushim!”, tha Muhannad Hadi, koordinatori humanitar i OKB-së për territorin e pushtuar palestinez.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: